Dafina Zeqiri ka shprehur shqetësimin e saj pas tragjedisë së Arlinda Zekajt, duke theksuar nevojën për mbështetje më të madhe për gratë që përballen me dhunën. Ajo thekson se shumë gra kanë kërkuar ndihmë nga institucionet, por shpesh kanë mbetur pa përgjigje.
Pas ngjarjes tragjike, artistja ka marrë një numër të madh mesazhesh nga gra të tjera që kanë ndarë përvojat e tyre të dhimbshme. Ato i kanë dërguar dokumente që tregojnë se kanë raportuar raste dhune, por nuk kanë marrë ndihmën e nevojshme nga autoritetet.
“Pas postimit tim për situatën e Arlindës, më kanë shkruar shumë gra në DM, duke më dërguar dokumente ku tregojnë se kanë shkuar e ardhur disa herë në Policinë e Kosovës për dhunë, abuzim, dhunë fizike nga partneri – dhe nuk kanë marrë asnjë ndihmë”, ka shkruar Dafina.
Këngëtarja e ka cilësuar këtë situatë si të papranueshme dhe ka kërkuar që institucionet të trajtojnë me seriozitet rastet e dhunës. Ajo thekson se është e domosdoshme që ata që punojnë në sistemin e drejtësisë të kuptojnë rëndësinë e veprimeve të shpejta dhe efektive.
“Kjo është e papranueshme. Duhet të bëhet diçka serioze. Me të vërtetë. Të gjithë ata që punojnë në shtet, përfshirë edhe policët, duhet të vendosen në vendin e të tjerëve”, ka deklaruar ajo.
Dafina gjithashtu thekson se gratë duhet të ndihen të sigurta dhe se Policia duhet t’i trajtojë me prioritet rastet e dhunës. Ajo kërkon veprime të menjëhershme për mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e abuzuesve, në përputhje me ligjin.
Në reagimin e saj, artistja ka kritikuar edhe mënyrën se si dhuna në familje shpesh minimizohet. Ajo thekson se kjo nuk është një çështje private, por një krim që kërkon vëmendje dhe veprim të menjëhershëm nga autoritetet.
“Kjo duhet të merret seriozisht. Nuk është ‘çështje familjare’, nuk është ‘punë private’, është dhunë. Është krim”, ka shkruar këngëtarja.
Në përfundim, Dafina thekson rëndësinë e edukimit të djemve që në moshë të hershme, duke e lidhur këtë me ndërtimin e një shoqërie ku gratë respektohen dhe trajtohen me dinjitet. Ajo e sheh këtë si një mision të rëndësishëm për çdo nënë.
“Si nënë e një djali dhe së shpejti e dy djemve, është misioni im, siç është për çdo nënë, t’i mësojmë djemtë tanë si të respektojnë gratë. Të dinë si të sillen, si të vlerësojnë, si të duan dhe si të mbrojnë”, ka përfunduar ajo.
/Prive By LS



