Edhe në Maqedoninë e Veriut, studentët ngrenë shqetësime për kushtet në fakultete dhe konvikte, bursat, ushqimin e subvencionuar dhe transportin. Përmes platformës “Studentaria”, ata kërkojnë ndryshime konkrete, më shumë transparencë dhe respektimin e të drejtave studentore.
Sipas tyre shuma prej rreth 140 denarësh për shujtën studentore nuk është rritur që nga viti 2023 dhe nuk përputhet me rritjen e inflacionit dhe me dispozitat ligjore.
Gjithashtu studentët kanë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes në konvikte, si dhe vonesa në pagesën e bursave.
Gjatë gjashtë muajve, përmes platformës së pavarur studentore “Studentaria” janë dorëzuar mbi 700 ankesa, ndërsa më shumë se 1.200 studentë të tjerë kanë votuar për problemet e paraqitura.
Aleksandar Nikollovski nga “Studentaria” kërkon zgjerimin e transportit publik falas për studentët edhe në Tetovë, Shtip e Manastir, si dhe subvencionimin e transportit ndërqytetës, për të cilin strategjia kombëtare parasheh ulje prej 30% të çmimit të biletave.
Të pyetur se si i vlerësojnë protestat e studentëve në Tiranë dhe ato më herët në Beograd, Goshe Nikollov, tha se Maqedonia nuk duhet ta kopjojë domosdoshmërisht modelin e protestave në rajon.
Projekti “Zëri digjital i studentëve”, i mbështetur nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, u mundësoi studentëve të raportojnë problemet me të cilat përballen. Tani kërkohet që institucionet kompetente të ndërmarrin masa konkrete, të përmirësojnë procedurat dhe të raportojnë në mënyrë transparente për zgjidhjen e ankesave.


