Rreth 2 mijë palestinezë janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre në Hebron, në Bregun Perëndimor të pushtuar, pasi ushtria izraelite mori nën kontroll banesa dhe i përdori disa prej tyre si baza ushtarake.
Operacioni erdhi pas një sulmi me armë zjarri ndaj një pike kontrolli ushtarake izraelite, ku të premten u vranë dy ushtarë.
Ngjarjet kanë përfshirë qytetin më të madh të Bregut Perëndimor, me rreth 250 mijë banorë, në kohën kur Izraeli po i afrohet zgjedhjeve.
Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, vizituan zonën pas sulmit dhe paralajmëruan masa të ashpra hakmarrëse.
Netanyahu deklaroi se priteshin operacione ushtarake në një shkallë që Bregu Perëndimor nuk e kishte përjetuar prej gati 60 vitesh pushtim.
Brenda pak orësh, qyteti u izolua, ndërsa lagjja Farsh al-Hawa, pranë vendit ku ndodhi sulmi, u shkatërrua rëndë.
Deri dje në mëngjes, zona industriale ishte kthyer në rrënoja, duke lënë pas vetëm mbetjet e punishteve të automjeteve, një fabrike të madhe qeramike dhe bizneseve të tjera.
Ndërkohë, disa kilometra më larg, në lagjen Ein Deir Baha, ushtria nisi zbrazjen sistematike të banesave.
Sipas pretendimeve izraelite, në këtë zonë jetonte të paktën njëri prej dy personave të përfshirë në sulmin e së premtes, që u vranë në vendngjarje.


