Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se pas përfundimit të angazhimit ndaj Iranit, administrata e tij do të merret edhe me Kubën, duke lënë të kuptohet se synon rrëzimin e regjimit komunist në këtë vend.
Duke iu drejtuar amerikanëve, Trump ka përmendur fuqinë ushtarake të SHBA-së dhe ndërhyrjen në Venezuelë, ndërsa ka paralajmëruar se Kuba mund të jetë objektivi i radhës.
“Kemi ushtrinë më të fortë në botë. E patë çfarë bëmë në Venezuelë. Republika Islamike e Iranit do t’ju tregojë se ne kemi pajisjet më të mira. Pa merak, do të merremi edhe me Kubën. Pasi të kthehemi nga Irani, do të bëjmë një ndalesë në Kubë me anijet tona. Ata do t’i ngrenë duart dhe pastaj do ta dërgojmë Rubion ta përfundojë marrëveshjen”, ka deklaruar Trump.
Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara vendosën kufizime ndaj furnizimit me naftë për Kubën, duke e përkeqësuar krizën energjetike në vend.
Ndërkohë, në lidhje me Iranin, analistët kanë ngritur mundësinë e një vale të re sulmesh nga SHBA-ja dhe Izraeli, duke iu referuar grumbullimit të forcave ushtarake në Lindjen e Mesme. Një nga skenarët e përmendur është edhe mundësia e një sulmi pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të planifikuara për 3 nëntor.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto zhvillime do të çojnë në një përshkallëzim të ri ushtarak në rajon apo në hapa të tjerë diplomatikë.


