Policia e Shtetit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plagosjes në sy të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Për rastin kanë nisur hetime edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar nisjen e menjëhershme të hetimeve nga Drejtoria e Standardeve Profesionale për të sqaruar rrethanat në të cilat i riu pësoi dëmtimin në sy.
Policia ka shprehur keqardhjen për plagosjen e 28-vjeçarit, duke i uruar shërim të shpejtë, si dhe qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të policisë të lënduar gjatë protestës.
Ndërkohë, është pezulluar nga detyra inspektori A. K., efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas publikimit të pamjeve ku shfaqet duke goditur një burrë të rrëzuar në tokë. Sipas Policisë, efektivi dyshohet se ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka respektuar parimin e proporcionalitetit gjatë ushtrimit të detyrës.
Ndaj tij ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Policia e Shtetit deklaron se çdo rast i dyshuar i tejkalimit të detyrës do të hetohet me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke theksuar se respektimi i ligjit dhe proporcionaliteti në përdorimin e forcës janë parime të panegociueshme.


