Një grup i dyshuar për trafik droge dhe armëmbajtje të paligjshme është goditur nga karabinierët në Itali, pas një hetimi që nisi me sekuestrimin e 22 kilogramëve kokainë dhe çoi në zbulimin e një plantacioni të madh kanabisi në zonën malore të Val di Lanzo.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan më shumë se 1,200 bimë kanabisi, me vlerë të përllogaritur mbi 1 milion euro. Kjo shumë i shtohet kokainës së sekuestruar në prill, vlera e së cilës në tregun me pakicë vlerësohej në të paktën 4 milionë euro.
Hetimi nisi pas arrestimit të shtetasit shqiptar Artur Hysenaj, 47 vjeç, në banesat e të cilit në Asti u gjetën 22 kilogramë kokainë. Gjatë kontrolleve, karabinierët zbuluan edhe katër pistoleta me numra serialë të fshirë, një silenciator artizanal dhe më shumë se 200 fishekë.
Hysenaj u dënua më pas me 10 vjet burg, ndërsa hetuesit vazhduan punën për të identifikuar personat e tjerë që dyshohet se kishin lidhje me të. Në korrik, pesë shtetas të tjerë shqiptarë u identifikuan dhe u denoncuan në kuadër të hetimeve.
Kontrollet e fundit, të zhvilluara në 13 banesa dhe prona në Asti dhe zona përreth, i çuan hetuesit në një kapanon në Val di Lanzo, i përshtatur për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura. Brenda tij u gjetën mbi 1,200 bimë, ndërsa objekti ishte pajisur me sisteme ventilimi, ndriçimi dhe ngrohjeje për të krijuar kushte të kontrolluara për kultivimin.
Sipas hetimeve, energjia elektrike për funksionimin e plantacionit merrej në mënyrë të paligjshme nga rrjeti publik, përmes një lidhjeje të fshehtë me kabllo të vendosura nën tokë.
Në vendngjarje u arrestua një shtetas shqiptar, banues në Asti, i dyshuar se kujdesej për plantacionin. Ai u dërgua në burgun e Ivreas. Ndërkohë, dy persona të tjerë janë nën hetim pasi gjatë kontrolleve në banesat e tyre u gjetën municione për armë zjarri dhe sasi të vogla të lëndëve narkotike.
Bilanci i deritanishëm i operacionit përfshin drogë të sekuestruar me vlerë të përgjithshme mbi 5 milionë euro, një person të dënuar me 10 vjet burg, arrestimin e kujdestarit të dyshuar të plantacionit dhe pesë persona të denoncuar. Hetimet vijojnë për të zbardhur përmasat e rrjetit dhe lidhjet mes personave të dyshuar.


