Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka udhëhequr takimin e parë të “Tryezës me partnerët socialë”, ku janë diskutuar të drejtat e punëtorëve, nxitja e punësimit dhe avancimi i dialogut social.
Sipas komunikatës së ministrisë, Hoti gjatë takimit ka prezantuar të arriturat e deritanishme të ministrisë, objektivat për periudhën e ardhshme dhe prioritetet legjislative për vitet 2026–2027.
Në diskutimin me përfaqësuesit e sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve janë trajtuar çështje që lidhen me marrëdhëniet e punës dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, ndërsa pjesëmarrësit kanë shkëmbyer pikëpamje dhe propozime për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet palëve.
Ministri Hoti ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së partnerëve socialë në proceset e hartimit të politikave dhe legjislacionit.
Ai ka vënë në pah nevojën që përmes konsultimeve dhe pjesëmarrjes aktive të sindikatave dhe organizatave të punëdhënësve të sigurohet një dialog më i avancuar social.
Gjatë takimit, po ashtu, është diskutuar për konstituimin dhe funksionalizimin e Këshillit Ekonomiko-Social, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet partnerëve socialë.


