Presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi ndalimin e protestave që organizohen nga grupe pa autoritet të njohur.
Autoritetet po përpiqen të frenojnë valën e trazirave që ka përfshirë vendin pas demonstratave kundër rritjes së kostos së jetesës.
Macron deklaroi se tubimet nga organizata të njohura, përfshirë sindikatat, mund të zhvillohen, por mund t’iu ndryshojnë itinerarin për të mbrojtur bizneset dhe objektet publike nga dëmtimet e mundshme.
Po ashtu, shefi i Elizesë njoftoi se do të zhvillojë një mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes, për të përcaktuar masat e mëtejshme lidhur me protestat e planifikuara në ditët në vijim.
Macron fajësoi grupet e së majtës ekstreme për dhunën gjatë demonstratave të 17 tetorit, duke i akuzuar për veprime që synojnë rrëzimin e Republikës.
Protestat e nxitura nga problemet në sistemin arsimor, u zgjeruan për shkak të pakënaqësisë ndaj rritjes së kostos së jetesës.
Përplasjet me policinë, vandalizmi dhe grabitjet shkaktuan dëme të mëdha në disa qytete franceze.
Masat e reja policore kanë hapur debat mbi kufijtë e ndërhyrjes së autoriteteve dhe të drejtën për të protestuar.
Përfaqësues të studentëve kundërshtojnë përpjekjet për të dalluar protestuesit që konsiderohen “të pranueshëm”, nga ata që autoritetet i cilësojnë “të paligjshëm”.
Kufizimet mund të cenojnë lirinë e tubimit.
Qeveria franceze po përgatitet për një tjetër valë demonstratash, ndërsa tensionet sociale dhe pakënaqësia për koston e jetesës vazhdojnë të rriten, rreth gjashtë muaj përpara presidencialeve të vitit 2027.


