Përplasjet e dhunshme në Milano mund të kenë qenë rezultat i një organizimi të mirëkoordinuar përmes rrjeteve sociale dhe fletëpalosjeve të krijuara me inteligjencë artificiale.
Inteligjenca italiane po përpiqet të zbulojë se kush mund të ketë nxitur mobilizimin e protestuesve, duke shqyrtuar mundësinë e përdorimit të një metode të ngjashme me atë të përdorur më parë në Ceuta.
Megjithatë, deri tani nuk janë evidentuar prova për drejtim nga një shtet i huaj.
Hetuesit po përpiqen të identifikojnë personat që mund të kenë shfrytëzuar zemërimin e të rinjve për t’i mobilizuar.
Disa ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e lidhi situatën në Milano me kontekstin e luftës hibride.
Ndërkohë, për nesër janë paralajmëruar protesta të reja në Milano dhe në të tjera qytete të Italisë.
Qeveria shqetësohet se grupe të rrymave radikale dhe anarkiste mund të përpiqen t’u bashkohen protestuesve të rinj për të nxitur incidente, veçanërisht përmes përplasjeve me policinë.
Për këtë arsye, Milano do të jetë nën masa të shtuara sigurie, nga stacioni i trenit deri në qendër.
Krahas forcave të rendit, në terren do të angazhohen edhe 500 parashutistë të njësisë ushtarake “Folgore”, të cilët do të kryejnë patrullime.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini deklaroi se në rast nevoje, ushtarakët mund të ndërhyjnë edhe me automjete të blinduara “Lince” e dronë.


