Kim Kardashian ka pranuar se është ndaluar disa herë nga policia për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, nga tejkalimi i shpejtësisë deri te mosndalimi i plotë në tabelën “STOP”. Ylli amerikan e ndau këtë përvojë gjatë një bisede me aktoret Sarah Paulson, Naomi Watts dhe Niecy Nash-Betts, në Los Angeles, në kuadër të promovimit të sezonit të dytë të serialit “All’s Fair”.
Biseda nisi kur Naomi Watts tregoi se kishte ëndërruar sikur ishte gjobitur për shpejtësi, ndërsa Sarah Paulson zbuloi se nuk ishte ndaluar asnjëherë nga policia gjatë drejtimit të makinës.
E habitur nga kjo deklaratë, Kim e pyeti nëse vërtet nuk i kishte ndodhur kurrë një gjë e tillë. Më pas, kur erdhi radha e saj për të treguar përvojën personale, 46-vjeçarja nuk ngurroi të pranonte se kishte pasur jo pak probleme në rrugë.
“Oh, mua më kanë ndaluar kaq shumë herë për shpejtësi të madhe. Ose, për shembull, kaloj te tabela ‘STOP’ pa u ndalur plotësisht”, rrëfeu Kardashian.
Megjithëse është një nga figurat më të njohura të showbiz-it amerikan, fama nuk e ka përjashtuar nga kontrollet e policisë. Madje, incidentet e saj në timon janë përmendur edhe më parë në media.
Në vitin 2013, Kardashian u gjobit për shpejtësi në Los Angeles, ndërsa po ndiqej nga paparacët. Ajo është përballur gjithashtu me vëmendjen e autoriteteve për xhamat e errësuar të automjetit. Në nëntor të vitit 2024, u raportua se ishte ndaluar sërish nga policia në Malibu për shkak të filmit të errët në xhamin e përparmë.


