Pas publikimit të një audio-incizimi që përfshin një bisedë me një person që prezantohet si oficer i Policisë së Tiranës, reperi i njohur Capital T ka reaguar me një video të fortë. Ai iu drejtohet të gjithë atyre që e kanë telefonuar dhe janë shqetësuar për të, duke theksuar se është mirë dhe se do të kthehet së shpejti në Shqipëri.
Në videon e tij, Capital T shprehet se qëndrimi i tij për studentët mbetet i pandryshuar. Ai thekson se do të vazhdojë të mbështesë protestuesit dhe ata që ngrihen për të drejtat e tyre, veçanërisht në rastet kur ndihen të padrejtë. “Jam në suport të studentave, në suport të njerëzve të mi për çdo lloj kauze,” shprehet ai me pasion.
Reperi tregon se pamjet nga protestat e kanë prekur thellë dhe se nuk mund t’i injorojë skenat e dhunës që po ndodhin. Ai ndan se lidhja me ata që e kanë mbështetur gjatë viteve është arsyeja pse ndjen nevojën për të reaguar dhe për të mos heshtur.
Capital T gjithashtu shprehet se situata aktuale në Shqipëri ia ka vështirësuar angazhimet muzikore. Ai thekson se është e pamundur të gjejë kënaqësi në muzikë apo koncerte kur sheh dhunën që po ndodh ndaj studentëve.
Në përfundim, reperi shpreh mirënjohjen e tij për telefonatat dhe shqetësimin e shprehur nga ndjekësit, duke siguruar se është mirë. “Gjithçka është ok, shihemi shpejt në Shqipëri, ju dua,” përfundon ai me një mesazh të ngrohtë për fansat e tij.


