Reperi i njohur kosovar, Capital T, ka shprehur mbështetje të fortë për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke i bërë thirrje mediave të Kosovës të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar në Tiranë.
Artisti ka theksuar se është thelbësore që zëri i protestuesve të dëgjohet dhe kërkesat e tyre të pasqyrohen në mënyrë të saktë. Ai ka nënvizuar rolin e rëndësishëm që ka media në informimin e publikut për ngjarjet që kanë rëndësi për shoqërinë.
Pas deklaratave të tij, Capital T ka marrë një telefonatë nga një person që ka thënë se është oficer i policisë kriminale në Tiranë. Një audio e publikuar nga Dosja.al tregon se telefonuesi ka pyetur reperin për vendndodhjen e tij dhe për datën e rikthimit në Shqipëri.
Transkripti i bisedës telefonike është si më poshtë:
Biseda në telefon:
Niko Kurti: Jam oficer te Myslim Shyri në Tiranë. Ku jeni?
Capital T: Mirëmëngjes, jam në Amerikë.
Niko Kurti: Kur do ktheheni.
Capital T: Nuk kam ndonjë datë. Më pyet.
Niko Kurti: Nuk është bisedë që bëhet në telefon. Kur ke ikur në Amerikë?
Capital T: Kam ca ditë?
Niko Kurti: Një sekond mos ma mbyll, një sekond të lutem!
Capital T: Këtu jam pa merak.
Niko Kurti: Më dëgjon tani, nuk ma the kush ishe?
Capital T: Kë kërkon vëlla?
Niko Kurti: Trim Ademi je?
Capital T: Po
Niko Kurti: Kur të vish do të pyes, të sqaroj për një rrethanë.
Capital T: Po mirë për ca bëhet fjalë
Niko Kurti: Mos u shqetëso se me qenë s’do të merrnim në telefon. Kur të vish në Tiranë hajde këtu te puna dhe flasim.
Edhe pse nuk është e qartë se cila është arsyeja e telefonatës nga policia, shqetësimi është rritur lidhur me mundësinë e përdorimit të strukturave të rendit për të ushtruar presion mbi artistët dhe zërat kritikë pas mbështetjes së tyre për protestat.


