Këngëtarja e njohur Rozana Radi ka bërë bujë në rrjetet sociale pas një incidenti të papritur që e ka lënë me një sy të ënjtur. Ajo ka ndarë me ndjekësit e saj përvojën e saj të fundit, e cila ka ndodhur gjatë një aktiviteti fizik.
Me anë të dy postimeve në InstaStory, Rozana ka publikuar fotografi që ilustrojnë gjendjen e syrit të saj të lënduar, i cili shfaqet me ënjtje dhe skuqje. Ajo ka siguruar fansat se po ndiqet nga mjekët dhe se është në proces rikuperimi.
“Më pyesni pse mbaj syze këtë periudhë dhe përse nuk dal shpesh as në ekran, as në Instagram. Gjatë një aktiviteti fizik, kam rrëshqitur dhe pësova një dëmtim në syrin e djathtë. Jam në duar të mjekëve dhe pres të rikuperohem për të vazhduar me aktivitetet e mia,” ka shkruar ajo.
Në një tjetër postim, ajo shfaqet duke bërë shenjën e fitores para pasqyrës, duke treguar se dëmtimi nuk do ta ndalojë atë nga angazhimet artistike. Rozana ka theksuar se ka vazhduar xhirimet pavarësisht gjendjes së saj.
“Kam xhiruar me këtë sy që shikoni. Nuk do të isha lyer për një periudhë njëmujore, por datat ishin të caktuara dhe duhej të xhiroja patjetër. Edhe me syrin e lënduar, nuk do të tërhiqem nga Festivali i Këngës Magjike,” ka shtuar ajo.
Rozana ka shprehur gjithashtu se ndjehet ende e ënjtur dhe se do t’i duhet kohë që të rikthehet në normalitet. Ajo është optimiste për rikuperimin e saj dhe për vazhdimin e karrierës së saj muzikore.
“Kjo situatë nuk e ndryshon as këngën, as performancën time. Faleminderit të gjithëve për interesimin,” ka përfunduar ajo.



