Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me kërkesat për përgjegjësi politike për rastin e ndërrimit të foshnjave.
Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, Zemaj ka përmendur edhe raste të tjera, për të cilat ka thënë se ministri Vitia nuk ka dhënë përgjegjësi politike.
“Arben Vitia nuk të ka dhanë përgjegjësi politike për rastin e foshnjës së futur në lavatriçe e as për vrasjen e gruas para Klinikës së Gjinekologjisë, e po të japë përgjegjësi për rastin e ndërrimit të foshnjave!!”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, po përpiqen ta kufizojnë përgjegjësinë vetëm te Inspektorati Shëndetësor, duke mos e përfshirë ministrin si drejtues të institucionit.
“I ‘kuptoj’ disa që përpiqen ta ndalin përgjegjësinë vetëm te Inspektorati Shëndetësor, duke harruar ‘pa qëllim’ se edhe ky institucion ka eprorin e vet: Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia”, ka deklaruar Zemaj.
Deputeti i LDK-së ka theksuar se përgjegjësia institucionale nuk duhet të jetë selektive dhe se llogaridhënia duhet të kërkohet edhe nga drejtuesit e institucioneve.
“Të nderum, përgjegjësia institucionale nuk mund të jetë selektive dhe nuk kërkohet e as nuk ndalet vetëm te vartësi”, ka shkruar ai.
Zemaj ka theksuar se përgjegjësia duhet të nisë nga drejtuesit e institucioneve.
“Andaj është e qartë për ata që dojnë me e ditë dhe me kërku përgjegjësi se llogaridhënia fillon nga kreu i institucionit a jo nga fundi”, shtoi Zemaj.


