Kristian Shpendi është shpallur lojtari më i mirë i muajit shtator në Serinë B dhe ka dhënë një intervistë të gjatë për “Chiamarsi Bomber” pas kësaj arritje. Ai është ndalur te paraqitjet e tij, por edhe ëndrra që një ditë të luajë bashkë me të vëllain në radhët e Kombëtares shqiptare.
Keni pasur një fillim të jashtëzakonshëm të sezonit, me 6 gola në 5 ndeshjet e para të Serisë B dhe paraqitje që ju dhanë titullin MVP. A e prisnit këtë? Cili është objektivi juaj personal sa i përket numrit të golave të shënuar? A synoni të bëheni golashënuesi më i mirë i kampionatit?
Sigurisht që ka qenë një fillim i mirë dhe për të qenë i sinqertë, nuk e prisja. Megjithatë, në mendjen time, qëllimi ishte të nisnim fuqishëm, si ekip ashtu edhe individualisht, duke shënuar disa gola, gjë që është gjithmonë pozitive. Nuk kam një shifër specifike golash që synoj, preferoj t’i marr gjërat ndeshje pas ndeshjeje, të hyj në fushë, të kontribuoj për ekipin dhe të përpiqem të shënoj. Nuk jam i fiksuar pas një numri të caktuar, por çdo vit përpiqem të tejkaloj atë që kam arritur në sezonin e kaluar.

Krahasuar me vitet e fundit, në cilat aspekte mendoni se jeni përmirësuar më shumë dhe në çfarë duhet të punoni ende për të bërë hapin tjetër përpara?
Ka shumë gjëra që duhet t’i përmirësoj, duke filluar nga ajo që të mundohem të jem një pikë referimi më e fortë për ekipin dhe shokët e mi të skuadrës. Është diçka për të cilën po punoj shumë vitet e fundit, do të dëshiroja të isha një shembull për të gjithë.
Pavarësisht golave tuaj, Ccezena nuk ka grumbulluar aq pikë sa shpresohej. A mendoni se ekipi meritonte më shumë, duke marrë parasysh paraqitjet në këto raunde të para?
Mendoj se po. Për shkak të pak fatit të keq, por edhe të mangësive tona dhe rënieve të përqendrimit, mund të kishim marrë disa pikë më shumë. I kemi analizuar gabimet tona për të kuptuar pse nuk arritëm të siguronim më shumë pikë dhe po punojmë për ta kompensuar këtë në ndeshjet e ardhshme.
Cili është objektivi i ekipit për këtë sezon dhe cilat skuadra i konsideroni më të fortat në këtë edicion të Serinë B?
Seria B është një ligë unike dhe shumë e vështirë. E nisëm me qëllimin për të siguruar mbijetesën në ligë, duke arritur sa më shpejt pikët e nevojshme për të qëndruar në këtë kategori. Do të shohim se çfarë tjetër mund të arrijmë në vazhdim, por objektivi ynë kryesor mbetet mbijetesa.
Je ende shumë i ri, megjithatë te Ccezena mund të konsiderohesh pothuajse një veteran. Si e sheh ekipin e Ccezenës këtë vit dhe çfarë ndikimi ka pasur trajneri i ri, Diamanti, te grupi dhe te stili yt i lojës?
Trajneri është një figurë kyçe, si për ekipin ashtu edhe për mua personalisht. Ai na ka dhënë shumë besim dhe guxim, si dhe na ka sjellë gëzim në punën e përditshme. Një kombinim mes lumturisë dhe një etike të fortë pune, që po jep rezultate të mira. Në planin personal, ai ka qenë një ndihmë e madhe; në fillim të sezonit folëm se çfarë duhet të bëj dhe ku mund të përmirësohem. Ai po na jep një shtysë të jashtëzakonshme të gjithëve. Sa i përket pyetjes nëse ai e ka ende “këmbën e nxehtë”? Do të thosha po, ai e godet topin në mënyrë të jashtëzakonshme.
Ke shënuar tashmë 6 gola, por ke marrë edhe 3 kartonë të verdhë, pjesërisht për shkak të përfshirjes tënde të madhe në fazën e presionit. A mendon se duhet ta zbutësh pak stilin tënd të lojës, apo ai agresivitet dhe dëshira për të ndihmuar ekipin janë tipare nga të cilat nuk je i gatshëm të heqësh dorë?
Duhet të vazhdoj të luaj me agresivitet dhe të sjell intensitet në fushë. Sigurisht, duhet të përpiqem t’i shmang ato kartonë të verdhë, këtë vit ka pasur raste kur jam ndëshkuar sepse kam qenë paksa “i tepruar” dhe kjo është diçka që duhet ta korrigjoj. Por, patjetër që do të vazhdoj të luaj me të njëjtin agresivitet. Trajneri na kërkon të punojmë shumë në presion, duke filluar nga sulmuesit. Natyrisht, ai nuk do të donte që unë të merrja kartonë të verdhë, ndaj kjo është diçka që duhet ta rregulloj.
Gjatë ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e kombëtareve, bëre debutimin tënd zyrtar me Shqipërinë. Sa domethënëse është kjo për ty?
Isha jashtëzakonisht i lumtur. Ishte diçka që e shpresoja dhe e dëshiroja vërtet të ndodhte. Dhe fakti që ndodhi në San Marino, një vend me të cilin kam një lidhje të veçantë, pasi kam luajtur atje për katër vite kur isha fëmijë, ishte diçka e jashtëzakonshme. Debutimi para familjes sime ishte i mrekullueshëm; besoj se në atë moment, ata ishin njerëzit më të lumtur në të gjithë Shqipërinë.
Pak ditë më parë, vëllezërit Espozito luajtën së bashku për Italinë. Ti dhe Stiven jeni rritur së bashku dhe keni ndarë pothuajse gjithçka në futboll. Sa e veçantë do të ishte për ju të dy që një ditë, të vishnit së bashku fanellën e kombëtares shqiptare?
Mendoj për këtë çdo ditë, është praktikisht një nga qëllimet e mia, edhe me Stivenin flasim për këtë. Do të ishte një ëndërr të grumbulloheshim së bashku, të debutonim dhe të luanim një ndeshje krah për krah, ashtu siç bënë vëllezërit Espozito. Jam i sigurt se për ta ishte një përvojë unike, ndërsa unë dhe vëllai im do të përpiqemi ta realizojmë të njëjtën ëndërr. Nuk kam asnjë dyshim për Stivenin, herët a vonë, do të vijë edhe radha e tij në Kombëtare.
Sa i përket vëllait tënd binjak, Stivenit, të dy jeni sulmues, por keni ndjekur rrugë të ndryshme. Sa flisni për futbollin dhe për paraqitjet e njëri-tjetrit? Kur njëri prej jush shënon, a është kjo thjesht kënaqësi për tjetrin, apo ka edhe pak konkurrencë?
Jemi shumë të lidhur, nuk jemi thjesht vëllezër të zakonshëm; duke qenë binjakë na bashkon një lidhje e veçantë. Flasim çdo ditë, pas stërvitjes marrim njëri-tjetrin në telefon për të pyetur se si shkoi, e kështu me radhë. Ka konkurrencë, po, por është gjithmonë e shëndetshme. Nëse unë nuk shënoj, por shoh vëllain tim të shënojë, kjo më gëzon. Ta shoh atë të lumtur, më bën edhe mua të lumtur. A kemi ndërruar ndonjëherë vendet për shembull në shkollë? Epo, ishim në shkollë gjatë karantinës, kështu që, duke qenë në shtëpi, ishte pak më e lehtë (qesh). Patjetër që pati situata disi të ndërlikuara, ku na u desh ta ndihmonim njëri-tjetrin…


