Klubi i Basketbollit Peja ka reaguar me shpejtësi pas ndarjes me grekun Michalis Kakiouzis, duke arritur marrëveshje me trajnerin e njohur malazez, Bosko Radovic.
Verdhezinjtë do të udhëhiqen nga një emër me përvojë të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare, transmeton Klankosova.tv.
Radovic, i cili për disa vite drejtoi me sukses Përfaqësuesen e Malit të Zi në ngjarje madhore evropiane, nis tashmë një kapitull të ri në elitën e basketbollit kosovar.
Tekniku malazez vjen në krye të shtabit teknik për të zënë vendin e lënë bosh nga Kakiouzis, i cili u largua nga skuadra gjatë ditëve të fundit.
Së fundmi, Radovic ishte pjesë e basketbollit aziatik, më konkretisht në kampionatin elitar kinez me skuadrën Guangdong Southern Tigers, ku shërbeu si ndihmës i Nenad Jakovljeviqit.
Me emërimin e tij, klubi pejan synon konsolidimin e radhëve dhe vazhdimin e luftës për majën e tabelës dhe të gjithë trofetë e mundshëm në basketbollin vendor.


