Dr. Asllan Tahiraj
Shqipëria ime, pse të lamë të katandisesh kështu?
Para një jave isha në Tiranë. Jo për qejf, siç do të dëshiroja, por për hall.
Pas tri ditësh qëndrimi, të mbushura me trafik, zhurmë, pluhur e smog mbytës, u ktheva sërish në “vatanin tim të dytë”, të cilin prej gati dy dekadash përpiqem, me shumë mund e sforcim, ta bëj disi timin — për familjen dhe për veten.
Por këtë herë e lashë Shqipërinë time me një ndjenjë ndryshe.
Një ndjenjë të përzier me dhimbje e keqardhje, me frikë e faj, me pafuqinë e atij që sheh dhe nuk di ç’të bëjë, me pesimizëm… por, diku thellë, edhe me shpresë.
Dhe me shumë, shumë pikëpyetje.
Me dhimbje, për njerëzit e shumtë hallexhinj që takova atje.
Me keqardhje, për masakrimin dhe betonizimin e frikshëm që i është bërë kryeqytetit — dhe jo vetëm atij.
Me frikë, se mos vatanin tim po e humbas përfundimisht.
Me faj, sepse edhe unë e lashë këtë vend. Ika, i pafuqishëm për të qëndruar e për të ndryshuar diçka.
Me trishtimin e të ndjerit i huaj në vendin ku kam lindur dhe jam rritur.
Me pesimizëm, sepse zor se ky vend do të bëhet më mirë për sa kohë mbetet në duart e atyre që e quajnë veten “rilindas”, ndërsa duket sikur jetojnë në një realitet krejt tjetër nga ai i qytetarit të zakonshëm.
Por u largova edhe me shpresë.
Me shpresë te qindra e mijëra njerëz që kanë vendosur t’i thonë “mjaft” padrejtësisë dhe zullumit. Me shpresën — madje me bindjen — se asnjë zullum nuk zgjat përgjithmonë.
Dhe u largova me shumë pyetje:
Vallë, cili shqiptar i zakonshëm është sot në gjendje të blejë një apartament në Tiranën tonë, me çmime marramendëse prej 200.000, 500.000 apo edhe 800.000 eurosh?
Kush po i ndërton gjithë këto ndërtesa?
Për kë po ndërtohen?
Kush është në gjendje t’i blejë këto dhjetëra mijëra apartamente, që shpesh ngjajnë më shumë me qeli betoni sesa me shtëpi ku mund të jetohet?
Nga lindi gjithë kjo etje e të huajve për t’ia mësyrë Shqipërisë sonë të vogël, një vendi me kaq shumë halle të vetat?
Pse po shiten bregdeti dhe bjeshkët tona?
Si mundëm ne, mijëra e mijëra shqiptarë, ta lëmë vendin tonë e të ikim?
Çfarë na ndodhi?
Dhe pyetja që dhemb më shumë:
A do të mund të kthehemi ndonjëherë?
Faturat e “privilegjit” të lëvizjes së lirë nëpër botë kanë filluar të na vijnë.
Malli për vendlindjen është njëra prej tyre.
Ndjenja se po bëhesh dalëngadalë i huaj në vendin tënd është një tjetër.
Dhe ndoshta fatura më e rëndë është frika se, kur një ditë të duam të kthehemi, vendi që kemi ruajtur për vite me radhë në kujtesën tonë mund të mos jetë më ai që lamë pas.
Vallë, a do të mund t’i përballojmë ne mërgimtarët këto fatura?
Nuk e di.
Di vetëm se, sado larg të shkojmë, Shqipërinë nuk e nxjerrim dot nga zemra.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë na dhemb kaq shumë kur e shohim të ndryshojë para syve tanë.
E megjithatë, dua të kem shpresë.
Por shpresa nuk mjafton. Duhet edhe përgjegjësi!
Sepse Shqipëria nuk është pronë e kësa qeverie të mbytur nga zullumi, as e një partie apo e një grushti njerëzish. Është e jona. Dhe përgjegjësia për të është e jona.
Duhet të pyesim, të kërkojmë llogari, të reagojmë dhe të mos mësohemi me të keqen sikur të ishte normale.
Sepse mund të ikësh nga Shqipëria, por Shqipërinë nuk e nxjerr dot nga vetja.
Dhe nëse ende na dhemb, atëherë ende nuk është vonë të kujdesemi për të.


