Në një moment kritik për Shqipërinë, ku protestat kanë marrë një intensitet të ri, influencerja e njohur Hati ka dalë publikisht për të shprehur mbështetje për studentët dhe qytetarët që protestojnë.
Pas kthimit nga pushimet, ajo ka ndarë një video në të cilën njofton se është e gatshme të ofrojë ndihmë financiare për ata që janë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
“Përshëndetje, unë sapo kam mbërritur në Shqipëri. Fjalë për fjalë, sapo kam hyrë në shtëpi dhe po e bëj këtë video për t’ju treguar se jam me ju”, ka thënë Hati në mesazhin e saj.
Por Hati nuk është ndalur vetëm me fjalë inkurajuese. Ajo ka bërë të ditur se është e gatshme të mbulojë nevojat financiare të protestuesve dhe studentëve, duke përfshirë sigurimin e mjeteve të nevojshme për mbrojtjen e tyre gjatë protestave.
“Jam këtu për t’ju ndihmuar financiarisht, të gjithë protestuesve dhe studentëve, për të siguruar çdo mjet që ju nevojitet për t’u mbrojtur dhe për të mbështetur protestën tuaj. Ju lutem, kontaktoni për çdo nevojë që keni, unë jam e gatshme të ndihmoj”, ka theksuar ajo.
Reagimi i saj ndodh në ditën e pestë të protestave, të cilat kanë filluar si një reagim ndaj kushteve të këqija në arsim dhe mundësive të pakta për punësim, por tani janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës.
Situata në kryeqytetin shqiptar është tensionuar, me përplasje të shpeshta mes protestuesve dhe forcave të policisë. Protestat vazhdojnë të rriten, duke reflektuar një ndjesi të fortë pakënaqësie në mesin e qytetarëve.
Deri tani, Hati ka shprehur publikisht gatishmërinë e saj për të ofruar ndihmë financiare, por mbetet për t’u parë nëse ajo ka filluar tashmë të realizojë këtë mbështetje.


