Aktorja e njohur e Hollywood-it, Hilary Swank, do të bëhet nënë për herë të tretë në moshën 52-vjeçare. Fituesja e dy çmimeve Oscar ka ndarë lajmin e bukur me ndjekësit në Instagram, duke zbuluar se bebja pritet të vijë në jetë në muajin dhjetor.
Swank po pret fëmijën e saj të tretë me bashkëshortin, biznesmenin Philip Schneider. Fëmija i tretë do të vijë në jetë në një familje ku aktorja dhe bashkëshorti i saj kanë tashmë binjakët trevjeçarë, Aya dhe Ohm, të lindur në vitin 2023.
Për të ndarë lajmin, aktorja publikoi një video kreative, ku shfaqet familja duke kërcyer në errësirë me shkopinj ndriçues të vendosur në trup. Në fund, ajo shfaqet me barkun e rrumbullakosur, ku është vendosur edhe një figurë e vogël foshnjeje që ndriçon.
Krahas videos, Swank zgjodhi të luajë me kureshtjen e fansave, duke e prezantuar shtatzëninë si projektin e saj të radhës. “Shumë njerëz më kanë pyetur se cili është projekti im i radhës. Do të publikohet në dhjetor”, shkroi ajo.
Aktorja u bë nënë për herë të parë në moshën 48-vjeçare, kur solli në jetë binjakët në vitin 2023. Në intervista të ndryshme, ajo ka folur hapur për rrugëtimin drejt mëmësisë, duke treguar se për shumë vite i ishte përkushtuar karrierës dhe se nuk kishte qenë një proces i lehtë.
“Do të kisha pasur fëmijë më herët, por nuk po them se zgjodha qëllimisht të prisja deri në moshën 47-vjeçare”, është shprehur Swank në një intervistë për Women’s Health. Ajo ka theksuar gjithashtu se mëmësia erdhi në një moment të veçantë të jetës së saj, kur ndihej më e përgatitur për këtë rol.
Hilary Swank dhe Philip Schneider u martuan në vitin 2018, pasi ishin njohur dy vite më parë nëpërmjet një takimi të organizuar nga miqtë. Përpara kësaj martese, aktorja kishte qenë e martuar me aktorin Chad Lowe, nga i cili u divorcua në vitin 2006.
Përveç jetës familjare, Swank ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Hollywood. Ajo fitoi Oscar-in e parë për aktoren më të mirë në vitin 2000, për rolin në filmin Boys Don’t Cry, ndërsa çmimin e dytë e mori në vitin 2005 për interpretimin në dramën Million Dollar Baby, me regji të Clint Eastwood.


