Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
BMW ka bërë diçka shumë interesante me Serie 3 të re: praktikisht të njëjtën makinë, por në dy versione krejt të ndryshme. Nga njëra anë ke M350 xDrive me benzinë. Nga ana tjetër, i3 50 xDrive, komplet elektrike. Dhe elektrikja në letër është serioze: platformë më e re, teknologji më moderne, rreth 753km autonomi me një karikim dhe karikim të shpejtë që mund t’i shtojë rreth 330 km në vetëm 10 minuta.
Pra teknikisht? Shumë bukur. Pastaj shikon çmimin: 61,500 dollarë. Dhe këtu mua më humbi pak BMW-ja. Sepse për 61 mijë dollarë nuk po konkuron më vetëm me Mercedesin apo Audin. Tani ke edhe kinezët në dhomë. Dhe BYD aty rri shumë i qetë: “Sa the? 61 mijë?”
Sepse sot me rreth 30 mijë dollarë gjen makina elektrike kineze të mbushura me ekrane, kamera 360, asistenca, sedilje me masazh, teknologji… gjëra që te një gjermane shpesh fillojnë si: “Po, kjo është ekstra.”
Mos më keqkuptoni: Serie 3 me benzinë e kuptoj fare mirë. Është BMW. Motori, drejtimi, karakteri — aty po blen edhe eksperiencën. Por elektrikja? Në momentin që heq motorin nga ekuacioni, loja ndryshon. Tani po blej bateri, teknologji dhe pajisje. Dhe aty kinezët të thonë: “Mirë se erdhe në fushën tonë.”


