Veprimtari Bajrush Xhemajli ka rrëfyer për procesin e bashkimit të organizatave ilegale shqiptare nën një emër të përbashkët dhe për rrugën që çoi drejt krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në emisionin “Debat Plus”, në kuadër të ciklit “Dosjet”, ai foli edhe për vendimet e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK/LPK) në vitet ’90 dhe vlerësimin e tij për Kosovën e pasluftës.
Duke folur për mbledhjen e katërt të LPK-së, të mbajtur në Aarau të Zvicrës më 1994, Xhemajli tha se në atë periudhë u morën vendime të rëndësishme për bashkimin e grupeve që vepronin në kuadër të një organizimi të përbashkët dhe për zhvillimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës.
Sipas tij, synimi ishte që grupet e ndryshme të vepronin nën një ombrellë të përbashkët dhe të krijohej një strukturë qendrore drejtuese.
“Atëherë emërohet edhe UÇK-ja. Krejt grupet që kanë vepru, kanë mendu që të jenë në një ombrellë dhe tentohet që sa më shpejt me u bashku dhe me qenë një shtab qendror. Janë emëru në atë kohë, por edhe ka marrë emrin Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, pavarësisht se në mbledhjen e katërt të LPK-së është marrë qëndrim që me luftë të armatosur me u çliru”, ka rrëfyer Xhemajli.
Ai theksoi se rëndësia e këtij procesi nuk qëndronte vetëm te emërtimi i organizatave, por edhe te aftësia për t’i bashkuar dhe për t’i vënë ato në funksion të një qëllimi të përbashkët. Sipas tij, UÇK-ja u zhvillua gradualisht deri në realizimin e synimit për çlirimin e Kosovës.
“Po, dhe është për t’u mburrë. Jo për t’u mburrë, por krenar duhet me qenë që kanë arrit me sintetizu dhe me ardh deri te këto përfundime, me emëru dhe me funksionu, se mundesh me ofru, por pa funksionu. Edhe përpara kemi bërë, ka pasë organizata që kanë emëru, por realizu jo. Edhe UÇK-ja është rrit deri sa ta fitojë lirinë”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Xhemajli u pyet nëse sot është krenar me Kosovën dhe nëse, sipas tij, sakrifica për çlirimin e vendit ia ka vlejtur.
Ai u përgjigj se sakrifica ia ka vlejtur, por pranoi se nuk është plotësisht i kënaqur me gjendjen e Kosovës pas çlirimit.
Për ta shpjeguar këtë qëndrim, ai iu referua veprës “Idealistët” të Koço Danajt, duke e lidhur idealizmin me dëshirën e vazhdueshme për ta bërë shoqërinë më të mirë.
“Barra qeranë ia ka vlejtë gjithsesi, por a jam i kënaqur pastaj pas çlirimit? Koço Danaj e ka një vepër, ‘Idealistët’, në kllapa ‘këta humbësit e mëdhenj që e ndryshuan botën’. Se idealistët e ndryshojnë botën, e të tjerët e jetojnë. Thotë kurrë nuk janë të kënaqur, e unë bëj pjesë në ata që nuk jam i kënaqur, se idealistët gjithherë e duan, sado që të jetë mirë, duan të jetë edhe më mirë”, tha Xhemajli.


