Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, mund të rikthehet së shpejti në pankinë, këtë herë në drejtimin e një përfaqësueseje tjetër europiane.
Sipas raportimeve të fundit, tekniku brazilian ka nisur bisedimet me Federatën Bullgare të Futbollit për të marrë drejtimin e kombëtares së këtij vendi.
Që prej largimit nga drejtimi i Shqipërisë, Silvinjo nuk ka gjetur ende një ekip të ri, pavarësisht se ka zhvilluar negociata me disa klube. Në një intervistë të fundit, ai ka bërë të ditur se dëshiron të vazhdojë karrierën në Europë, të cilën e konsideron si nivelin më të lartë të futbollit botëror.
Pikërisht kjo preferencë mendohet të ketë ndikuar edhe në vendimin e tij për të mos pranuar mundësinë e drejtimit të Corinthiansit në Brazil, duke lënë të hapur rrugën për një projekt të ri në kontinentin europian.
Bullgaria po kërkon një zgjidhje për stolin e saj, në një periudhë kur rezultatet e përfaqësueses nuk kanë qenë në nivelin e pritshmërive. Sipas informacionit të publikuar, Silvinjo është një nga emrat që po shqyrtohen për të marrë drejtimin e skuadrës dhe për të nisur një fazë të re në përpjekjen për të përmirësuar rezultatet.
Megjithatë, braziliani nuk është kandidati i vetëm. Në listën e emrave të përmendur për këtë post janë edhe Robert Prosineçki dhe Eduard Jordanesku, çka tregon se federata bullgare po shqyrton disa alternativa përpara se të marrë vendimin përfundimtar.
Për momentin, nuk ka ende një marrëveshje zyrtare të konfirmuar. Nëse negociatat do të përparojnë, Silvinjo mund të rikthehet në futbollin ndërkombëtar, pas eksperiencës së tij në krye të Shqipërisë, me të cilën siguroi pjesëmarrjen në Kampionatin Europian të vitit 2024.

