Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka folur për një media ndërkombëtare “Talking with TVP world” lidhur me kërcënimin e vazhdueshëm që paraqet Serbia për Kosovën dhe synimet e saj destabilizuese.
”Por në themel të kërcënimit për të gjithë rajonin qëndron qasja e saj hegjemoniste: synimi për të dominuar Ballkanin dhe për të kërcënuar fqinjët”, ka thënë ai duke shtuar se ”sfida më e madhe është Serbia dhe qasja e saj hegjemoniste ndaj Kosovës. Serbia vazhdimisht e kërcënon Kosovën dhe mbështet grupe terroriste që, disa vite më parë, u përpoqën të kryenin sulme terroriste dhe të aneksonin pjesën veriore të vendit tonë”.
Maqedonci ka theksuar se një nga shqetësimet kryesore të Kosovës është mundësia e një ndërhyrjeje të Serbisë, si dhe rreziku i aneksimit të territorit të Kosovës, që do të mund të destabilizonte situatën në Ballkanin Perëndimor.
”Serbia gjithashtu mbështet grupe kriminale në Kosovë që merren me kontrabandë dhe veprimtari të tjera kriminale. Këtë e bën për ta destabilizuar Kosovën dhe, përmes destabilizimit të saj, për të cenuar sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që ta paraqesë veten si një aktor të rëndësishëm dhe t’i ndjekë interesat e veta hegjemoniste ndaj të tjerëve”.
”Përveç veprimeve hibride kundër vendit tonë, Serbia përbën kërcënim edhe përmes vendosjes së kapaciteteve të saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
Janë 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë, të forcave ushtarake dhe policore serbe, që ndodhen shumë pranë vijës sonë kufitare me Serbinë”, ka thënë ministri Maqedonci.
Ai gjithashtu ka vënë në pah marrëdhëniet e afërta mes Serbisë dhe Rusisë, duke i trajtuar ato në kontekstin e kërcënimeve të sigurisë në rajon.
”Mund të them se paqja dhe siguria në Ballkan janë në rrezik për shkak të pranisë së një aktori që ende është shumë i afërt me Rusinë, ende mbështetet nga autoritetet ruse dhe vazhdon të përpiqet ta dominojë Ballkanin. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën. Serbia ka ndërmarrë veprime të tilla hibride edhe kundër vendeve të tjera, si Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Ajo po blen dhe po siguron armë nga Kina dhe Rusia. Këto janë kryesisht armë sulmuese, si raketa, raketa hipersonike dhe sisteme të tjera”, ka thënë Maqedonci.
Ai tutje ka thënë se shpreson se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ushtrojnë më shumë presion ndaj autoriteteve serbe dhe ndaj qeverisë së re që do të vijë në Serbi, por edhe ndaj qeverisë aktuale, për ta shtyrë Serbinë të vendosë se cilën anë dëshiron të zgjedhë.
Ndër të tjera Maqedonci ka thënë se Kosova dhe SHBA-ja në dy vitet e fundit kanë rritur bashkëpunimin në sferën e sigurisë.
”Gjatë këtyre dy viteve të fundit e kemi rritur dhe thelluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara. Kemi më shumë prani amerikane në Kosovë sesa më parë”, ka thënë ai ndër të tjera.


