Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ia caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit V. R., i cili dyshohet për vrasjen e gruas, vëllait të saj, dhe plagosjen e djalit të axhës së gruas, në Livoç të Gjilanit.
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se motivet e rastit ende nuk dihen.
“Më datë 09.10.2026 rreth orës 14:21 minuta, në fshatin Livoç i Ultë, i pandehuri V. R., me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën N. B., vëllain e bashkëshortes së tij-tani të ndjerin E. B., ka lënduar rëndë të dëmtuarin M. B. dhe i ka rrezikuar jetën të dëmtuarit R. B.,”, thuhet në njoftim.
Gjykata spjegon gjithë rrjedhën e ngjarjes që përfundoi me dy viktima.
“…për shkak të një mosmarrëveshje për motive akoma të panjohura, i pandehuri fillimisht së bashku me të ndjerën shkon në fshatin Pozheran, Komuna Viti tek familja e të ndjerës, mirëpo kthehen menjëherë në drejtim të Gjilanit, ndërsa të dëmtuarit M. dhe R. B. me tani të ndjerin E. B. me veturën Pikap Opell Combo me targa 239-HM shkojnë pas tij me qëllim që të bisedojnë, në hyrje të fshatit Livoç i Ultë e tejkalojnë dhe ndalen ta presin, mirëpo i pandehuri me veturën Tiguan, ngjyrë e zezë me targa 06-767-HK vazhdon në drejtim të Gjilanit, gjatë së cilës kohe me armën e llojit Beretta, me nr. serik PX321722 përderisa ishte duke vozitur, shtie në distancë të afërt në drejtim të bashkëshortes së tij, tani të ndjerës N. e cila ishte e ulur përpara, në anën e djathtë të pasagjerit duke e privuar nga jeta, pastaj kthehet përsëri në një rrugë tjetër, në hyrje të fshatit Livoç dhe veturën e ndal pas veturës Pikap ku ishin të dëmtuarit dhe tani i ndjeri, të cilët dalin nga vetura, ndërsa i pandehuri me armën e llojit Bereta del nga vetura dhe ju thotë: “unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra” dhe përnjëherë shtie në drejtim të tyre ku i dëmtuari R. arrin të ikën, ndërsa të dëmtuarin M. e plagosë, mirëpo i njëjti arrin të ikë në një oborr të një shtëpie, mirëpo tani i ndjeri E. B. nuk arrin të ikë dhe të njëjtin e privon nga jeta në vendin e ngjarjes pasi shtie disa herë në drejtim të tij, me pas veturën e tij të markës Tiguan ku ishte e ndjera N. B. e dërgon në oborrin e spitalit rajonal të Gjilanit, para emergjencës dhe e lë aty, ndërsa vetë shkon dhe dorëzohet në polici”, thuhet në njoftim.
Më këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lartë, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi


