Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketë në aeroportin ndërkombëtar të Riadit, në Arabinë Saudite.
Sipas një burimi diplomatik, aeroporti është goditur nga një raketë e forcave Huthi, grupi rebel që vepron në Jemen.
Pas sulmit, në spitalet e kryeqytetit saudit është shpallur gjendje e rëndë emergjence. Sipas një burimi mjekësor, mjekët janë thirrur urgjentisht për t’u paraqitur në spitale, ndërsa të plagosurit po transportohen drejt qendrave shëndetësore të Riadit.
“Na është thënë se po përballemi me një situatë të rëndë emergjence. Të plagosurit po dërgohen në spitalet e kryeqytetit”, deklaroi burimi mjekësor, duke shtuar se disa prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Anulohen fluturimet, ndërpritet trafiku ajror
Pas sulmit, trafiku ajror në aeroportin e Riadit është ndërprerë, ndërsa disa kompani ajrore kanë anuluar fluturimet drejt dhe nga kryeqyteti saudit. Mes kompanive që kanë anuluar një numër fluturimesh janë Kuëait Airëays, Etihad Airëays dhe Qatar Airëays. Disa nga anulimet pritet të vazhdojnë të paktën deri të hënën. Ndërkohë, aeroporti ndërkombëtar “Mbreti Khalid” u ka kërkuar udhëtarëve të verifikojnë statusin e fluturimeve përpara se të nisen drejt terminalit.
“Ju lutemi, kontaktoni drejtpërdrejt kompaninë tuaj ajrore dhe konfirmoni statusin e fluturimit përpara se të niseni drejt aeroportit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Përshkallëzohen tensionet mes Arabisë Saudite dhe Huthive
Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të shtuara në rajon. Më herët, mediat jemenase raportuan se avionë luftarakë sauditë kishin goditur katër herë aeroportin e Sanaas, kryeqytetit të Jemenit.
Gjithashtu, sipas raportimeve, disa ditë më parë tre persona humbën jetën nga sulmet ndaj aeroporteve në Arabinë Saudite.
Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të plota zyrtare mbi rrethanat e sulmit në Riad dhe përgjegjësinë përfundimtare për të.


