Këngëtari i njohur, Sabri Fejzullahu, ka shprehur urimet e tij për Justina Shiroka-Pulën, e cila sapo është emëruar Presidente e Kosovës.
Me një mesazh emocionues në rrjetet sociale, Fejzullahu ka theksuar lidhjen e tij të ngushtë me Shiroka-Pulën, duke e cilësuar atë si një mikeshë të hershme dhe pjesë të një familjeje me tradita të forta atdhetarizmi.
“E dashur mikja ime që nga fëmijëria. Ti je bijë e një familjeje atdhetare, me një histori të pasur dhe me vlera që na janë përcjellë brez pas brezi,” ka shkruar ai, duke e përshkruar Shiroka-Pulën si një figurë të rëndësishme për vendin.
“Sot, kur ti merr detyrën e lartë si Presidente e Republikës së Kosovës, urimi im për ty është gjithashtu një urim për Kosovën: të kemi në krye një personalitet me formim, kulturë dhe integritet,” ka shtuar ai, duke e vlerësuar rolin e saj në shërbim të vendit.
“Nëse Shiroka i drejtohej Shqipërisë me thirrjen për t’u zgjuar dhe për ta forcuar atdheun, sot ne e shohim atë si një amanet të përhershëm: ta duam dhe ta shërbejmë atdheun me përgjegjësi,” ka thënë Fejzullahu, duke theksuar rëndësinë e lidhjes me vendin.
“Të priftë e mbara, me dinjitet dhe guxim; me zemrën te Kosova dhe me sytë nga e ardhmja,” ka përfunduar ai, duke i dhënë mbështetje Shiroka-Pulës në këtë detyrë të re.



