Suedia ka njoftuar se do të vendosë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe rreth 100 ushtarakë në Poloni gjatë muajit dhjetor, me qëllim mbrojtjen e qendrës logjistike të NATO-s në Rzeszów, e cila shërben si korridori kryesor për dërgimin e ndihmës ushtarake dhe humanitare drejt Ukrainës.
Vendimi u bë publik nga kryeministri suedez, Ulf Kristersson, disa ditë pasi Stokholmi njoftoi se avionët luftarakë Gripen do të patrullojnë hapësirën ajrore polake duke filluar nga tetori.
“Detyra e avionëve Gripen dhe e sistemit Patriot është mbrojtja e qendrës logjistike të NATO-s në Rzeszów. Ne duam të sigurohemi që pajisjet e rëndësishme të arrijnë në Ukrainë nga të gjitha vendet që e mbështesin atë në mbrojtjen kundër agresionit rus”, deklaroi Kristersson.
Ministri suedez i Mbrojtjes, Pål Jonson, theksoi se shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore të vendeve aleate dhe përpjekjet ruse për të minuar mbështetjen ndaj Ukrainës tregojnë rëndësinë e mbrojtjes së kësaj qendre strategjike.
Nga ana e saj, ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer, tha se misioni nuk synon vetëm sigurimin e linjave të furnizimit për Ukrainën, por përbën gjithashtu një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes dhe parandalimit të NATO-s.
Sistemet Patriot do të qëndrojnë në Poloni deri në mesin e vitit të ardhshëm, duke zëvendësuar bateritë holandeze Patriot, të cilat janë dislokuar në Rzeszów që prej dhjetorit të kaluar.


