Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka deklaruar se njoftimi i avokatit Arianit Koci në Gjykatën Kushtetuese për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26 nuk ka efekt të drejtpërdrejtë mbi procedurën e zgjedhjes së Presidentes së Kosovës.
Cakolli ka thënë se vetëm dërgimi i një njoftimi të tillë nuk e pezullon procedurën, pasi Gjykata Kushtetuese ka mekanizmat e saj për të vlerësuar nëse vendimet e saj janë zbatuar apo jo.
“Në anën tjetër, edhe dërgimi në Gjykatë Kushtetuese i njoftimit për moszbatim, nuk ka asnjë efekt të drejtpërdrejtë në pezullimin e procedurës si të tillë. Për shkak se gjykata ka mekanizma të brendshëm për ta bërë kontrollin e zbatimit të vendimeve të saj, përmes formimit të disa komisioneve të brendshme”, ka thënë Cakolli.
Sipas tij, në rastin konkret nuk mund të thuhet se ka mbetur ndonjë pjesë e aktgjykimit e pazbatuar.
“Sidoqoftë nuk ka kuptim që të them gjykata ta bëjë vlerësimin e zbatimit ose moszbatimit, sepse nuk ka pikë të aktgjykimit që nuk është zbatuar”, ka deklaruar ai.
Koci kishte njoftuar se të mërkurën kishte depozituar në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26.
Sipas Kocit, Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar që procedura për zgjedhjen e Presidentit duhej të përfundonte deri më 6 tetor 2026 dhe se votimi kishte vazhduar edhe pas mesnatës.
Koci i ishte referuar edhe nenit 226 të aktgjykimit, duke thënë se në rast të mosrespektimit të afatit pasoja juridike është shpërndarja e Kuvendit.
Më tutje, Cakolli ka deklaruar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës për Presidente të Kosovës mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese vetëm nga të paktën 10 deputetë.
Cakolli ka thënë se deputetët kanë afat tetë ditë për ta kontestuar vendimin e Kuvendit, që sipas tij nënkupton se afati për një kërkesë të tillë përfundon më 14 tetor.
“Dërgimi në Gjykatë Kushtetuese i njoftimit për moszbatim, nuk ka asnjë efekt të drejtpërdrejtë në pezullimin e procedurës si të tillë”, ka deklaruar Cakolli.
Megjithatë, ai ka pranuar se mënyra e përfundimit të votimit mbetet çështje e diskutueshme, pasi votimi kishte nisur në minutat e fundit të 6 tetorit dhe kishte vazhduar pas mesnatës.
Sipas Cakollit, fakti që votat ishin futur në kuti para përfundimit të 6 tetorit mund të ketë rëndësi në interpretimin e asaj se kur konsiderohet e përfunduar procedura e zgjedhjes së Presidentes.
Ai ka bërë analogji me procesin zgjedhor, duke thënë se data e zhvillimit të zgjedhjeve mbetet data kur është zhvilluar procesi, edhe nëse rezultatet certifikohen më vonë.


