Një urim i thjeshtë ditëlindjeje ka zbuluar një bashkëpunim të papritur mes dy artistëve të njohur, Tayna dhe Gashi, që deri tani kishte mbetur në hije.
Artisja Tayna e ka uruar Gashin në Instagram me një mesazh të ngrohtë: “Happy birthdayyyy ❤️”. Por ajo që e bëri këtë urim të veçantë ishte përgjigjja e Gashit, e cila ka tërhequr menjëherë vëmendjen e ndjekësve.
“Mendoj se është koha ta publikojmë këngën”, ka shkruar ai, duke lënë të kuptohet se dy artistët kanë përgatitur një projekt të përbashkët që është gati për t’u lansuar.
Edhe pse detajet si titulli dhe data e publikimit nuk janë zbuluar ende, mënyra se si Gashi foli për këngën sugjeron se ajo është në fazën finale dhe po pret momentin e duhur për të dalë në treg.
Bashkëpunimi mes Tayna-s dhe Gashi-t vjen në një kohë të favorshme për Taynan, e cila ka arritur sukses ndërkombëtar me hitin “Si Ai”. Remiksi i këtij hiti me Marshmello dhe UKAY ka grumbulluar mbi 149 milionë shikime në YouTube, duke e bërë atë një nga projektet më të njohura.
Albumi i saj “Genesis”, i publikuar në maj të këtij viti, gjithashtu ka arritur të debutojë në vendin e 10-të të klasifikimit të albumeve në Zvicër, duke thelluar më tej praninë e saj në tregun evropian.
Tayna ka bashkëpunuar me artistë të njohur jashtë tregut shqiptar, duke përfshirë “Late Night” me Summer Cem, Geenaro dhe Ghana Beats në vitin 2025, duke treguar kështu versatilitetin e saj artistik.
Me gjithë këto arritje, mbetet të shohim se çfarë surprizash kanë përgatitur Tayna dhe Gashi për fansat e tyre, dhe sa kohë ka kaluar që ky bashkëpunim ka qenë “në sirtar”.



