Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ishte në Shkup, përcolli mesazhe dhe u largua. Vizita e saj sërish e aktualizoi temën e anëtarësimit në BE dhe bllokadën nga Bullgaria. Për opozitën, kishte kritika të qarta nga Von der Leyen, si dhe se sa më shumë që Maqedonia pret, aq më shumë përkeqësohen pozicionet. Për kryeministrin, nga ana tjetër, takimi me Von der Leyen ka qenë cilësor dhe miqësor.
“Unë vetëm do të them se presidentja Von der Leyen, si asnjëherë më parë, tha se kjo qeveri po bën punë frymëzuese, ja po e citoj, për reformat dhe për gjithçka që i është përkushtuar anëtarësimit të shtetit në BE. Kështu që, unë pres që në periudhën që vijon, më në fund të mundemi të gjithë ne ta intensifikojmë këtë proces dhe të gjejmë zgjidhje për situatën në të cilën ndodhemi”, tha Mickoski.
Po cila është zgjidhja? Sipas von der Leyen, ajo është Sofja dhe bisedimet intensive me të, këshill të cilin kryeministri e ka dëgjuar.
“Do ta përsëris, mora këshill nga presidentja e KE-së, të cilin e pranova. I kërkova ministrit për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme që të kërkojë takim, ai e bëri këtë, por ende nuk kemi përgjigje. Pasi të marrim përgjigje, atëherë do të mund të komentojmë më shumë”, u shpreh Mickoski.
Megjithatë, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, thotë se gjatë vizitës në Shkup, von der Leyen qartë ka porositur se gjuha dhe identiteti maqedonas janë të mbrojtura, dhe me këtë, siç thotë ai, i ka demaskuar të gjitha gënjeshtrat dhe shpifjet se kush është tradhtar e kush patriot.
“U konfirmua gjithçka që kemi thënë deri tani. Identiteti, i ruajtur, i konfirmuar me Marrëveshjen e Prespës, gjuha e konfirmuar me Marrëveshjen me Frontex-in, të nënshkruar në gjuhën e pastër maqedonase. Dhe, kush është tani tradhtar? Nuk është LSDM-ja. Tradhtar dhe tradhtarë janë Hristijan Mickoski dhe banda e tij”, deklaroi Filipçe.
Para disa ditësh, „Politico“ e njohur publikoi se vendeve që po hapin klasterët, si Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi, do t’u ofrohen „udhërrëfyes“ të saktë për anëtarësim. Maqedonia nuk ishte ndër vendet e përmendura. Gjatë vizitës në Shkup, von der Leyen porositi se, kur të zhbllokohet procesi me Bullgarinë, Maqedonia do të mund të përparojë shumë shpejt drejt BE-së.


