Ilaçet për humbjen e peshës kanë ndryshuar trupin, mënyrën e të ushqyerit dhe standardet e bukurisë. Por ndikimi i tyre po ndihet edhe në marrëdhëniet mes njerëzve. Rritja e përdorimit të ilaçeve të bazuara në GLP-1 ka sjellë ndryshime të mëdha në vetëm pak vite. Këto medikamente për humbjen e peshës kanë ndikuar në mënyrën se si njerëzit e shohin trupin e tyre, ushqimin dhe madje edhe standardet e bukurisë. Por ndikimi i tyre nuk ndalet këtu. Ilaçet GLP-1 po ndryshojnë në mënyrë më të heshtur edhe marrëdhëniet romantike, miqësitë dhe marrëdhëniet familjare.
Për disa njerëz, marrëdhëniet janë bërë më të forta, sepse njëri ose të dy partnerët ndihen më mirë dhe më të sigurt me veten pas humbjes së peshës. Të tjerë që përdorin këto ilaçe zgjedhin ta mbajnë të fshehtë përdorimin e tyre, nga frika se mos gjykohen nga partneri, familja apo miqtë. Ndërkohë, disa persona që nuk përdorin GLP-1 kanë thënë se janë ndier të zhgënjyer ose edhe të tradhtuar kur miqtë apo njerëzit e afërt kanë filluar t’i përdorin.
Kur ushqimi nuk bashkon më çiftin
Për disa çifte, ndryshimi mund të jetë edhe më i drejtpërdrejtë. Çiftet që dikur e shijonin ushqimin së bashku, dilnin për darka ose e kishin ngrënien një pjesë të rëndësishme të marrëdhënies, mund të përballen me një situatë të re kur njëri prej partnerëve humbet ndjeshëm oreksin. Kjo mund të ndikojë jo vetëm në mënyrën se si hanë së bashku, por edhe në aktivitetet që i kanë lidhur më parë. Në disa raste, ndryshimi fizik dhe emocional mund të ndikojë edhe në mënyrën se si partnerët e perceptojnë njëri-tjetrin.
Po ju, si ka ndikuar GLP-1 në marrëdhënien tuaj?
Ne duam të dëgjojmë përvojat tuaja, pavarësisht nëse përdorni ilaçe GLP-1 apo jo. A ka ndryshuar marrëdhënia juaj pasi ju ose partneri juaj keni filluar të përdorni këto ilaçe? A ju ka bërë të ndiheni më mirë me veten dhe ka forcuar marrëdhënien? Apo ka sjellë tensione, pasiguri apo ndryshime në mënyrën se si kaloni kohë së bashku? Edhe nëse nuk i përdorni vetë, mund të na tregoni nëse përdorimi i tyre nga një partner, mik apo familjar ka ndikuar në marrëdhënien tuaj. Përvojat mund të ndahen në mënyrë anonime.


