Të ngasësh biçikletën zakonisht nuk përbën problem për fertilitetin, por çiklizmi në nivele ekstreme mund të ketë ndikim – veçanërisht te sportistët profesionistë dhe burrat që kanë numër të ulët spermatozoidesh.
Çiklizmi nuk është një faktor që shohim shpesh në klinikat e fertilitetit, thotë profesori Colin Duncan, ekspert i fertilitetit në Universitetin e Edinburgut.
Po te gratë?
Sipas Duncan, çiklizmi ka gjasa të ndikojë te fertiliteti i grave vetëm nëse kryhet në nivele shumë të larta, si në rastin e stërvitjeve intensive të sportisteve profesioniste. Aktiviteti fizik ekstrem mund të ulë ndjeshëm përqindjen e yndyrës në trup. Kjo, sipas ekspertit, mund të ndikojë në funksionimin e vezoreve.
Sportistet elitare mund të ndalojnë së pasuri menstruacione dhe të kenë ulje të fertilitetit, shpjegon ai.
Po te burrat?
Te meshkujt situata është pak më ndryshe. Qëndrimi për periudha të gjata mbi shalën e biçikletës mund të rrisë temperaturën rreth testikujve. Kjo mund të ndikojë në prodhimin e spermatozoideve, të cilat zhvillohen më mirë në temperatura më të ulëta. Pikërisht për këtë arsye testikujt ndodhen jashtë trupit. Megjithatë, për shumicën e meshkujve që ngasin biçikletën në mënyrë normale, nuk ka arsye për alarm.
Testikujt prodhojnë shumë më tepër spermatozoide nga sa nevojiten për fertilitet, thotë Duncan.
Sipas tij, çiklizmi i zakonshëm nuk pritet të ketë ndonjë ndikim të rëndësishëm. Ndikimi mund të bëhet më i dukshëm kur bëhet fjalë për çiklizëm ekstrem dhe stërvitje shumë intensive.
Kush duhet të jetë më i kujdesshëm?
Eksperti thekson se ndikimi mund të ketë më shumë rëndësi te burrat që tashmë kanë një numër të ulët ose kufitar të spermatozoideve. Nëse një burrë ka një numër të lartë dhe të shëndetshëm spermatozoidesh, një ulje e vogël e shkaktuar nga aktiviteti intensiv fizik ka më pak gjasa të ndikojë në fertilitet. Në klinikat e fertilitetit, mjekët marrin parasysh edhe stilin e jetesës kur analizojnë cilësinë e spermës. Përveç aktivitetit fizik ekstrem, faktorë të tjerë që mund të merren në konsideratë janë duhani, alkooli dhe ekspozimi i shpeshtë ndaj temperaturave të larta, si në sauna. Pra, për shumicën e njerëzve, një xhiro normale me biçikletë nuk është diçka për t’u shqetësuar. Problemi mund të shfaqet kryesisht kur çiklizmi bëhet ekstrem ose kur ekzistojnë tashmë probleme me fertilitetin.


