Barcelona e femrave ka regjistruar një fitore spektakolare në “El Clasico”, duke shkatërruar Real Madridin me rezultatin e thellë 7-0, në një ndeshje të vlefshme për javën e gjashtë të kampionatit spanjoll.
Protagonistja absolute e kësaj përballjeje ishte Claudia Pina, e cila zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke realizuar plot katër gola dhe duke udhëhequr skuadrën katalanase drejt një triumfi historik në “Camp Nou”.
Sulmuesja spanjolle e zhbllokoi rezultatin që në minutën e 4-t, ndërsa në minutën e 28-të dyfishoi shifrat. Vetëm katër minuta më vonë, Pina kompletoi tregolëshin, përpara se Caroline Graham Hansen të shënonte golin e katërt për Barcelonën. Në minutën e 45-të, Pina realizoi golin e saj të katërt personal, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 5-0.
Në fraksionin e dytë, Ewa Pajor shënoi golin e gjashtë në minutën e 55-të, ndërsa Sydney Schertenleib vulosi fitoren e thellë me një goditje spektakolare nga distanca në minutën e 88-të.
Kjo fitore përbën një nga triumfet më të thella të Barcelonës në historinë e përballjeve me Real Madridin për femra. Me këtë rezultat, katalanaset ruajnë ecurinë perfekte në kampionat, me 18 pikë të grumbulluara në gjashtë ndeshje, duke konfirmuar dominimin e tyre në futbollin spanjoll.


