Një 42-vjeçar grek, i cili kishte humbur gjatë një ekspedite gjuetie në zonën e malit të Nemërçkës, është gjetur shëndoshë e mirë pas një operacioni të gjerë kërkim-shpëtimi.
Sipas mediave greke, 42-vjeçari kishte shkuar për gjueti së bashku me tre persona të tjerë. Të shtunën në mëngjes, ai humbi orientimin dhe u shkëput nga grupi, ndërsa më pas nuk u arrit të vendosej më kontakt me të.
Pas alarmit, strukturat e emergjencave në Greqi nisën një operacion të gjerë për gjetjen e tij. Në kërkime u angazhuan forca të policisë dhe zjarrfikëses, ndërsa u përdorën edhe dronë për të kontrolluar terrenin malor.
Kërkimet vijuan për disa orë në kushte të vështira, për shkak të terrenit të thyer dhe zonës malore. Ekipet e shpëtimit zgjeruan kërkimet në drejtim të kufirit shqiptaro-grek.
Në orët e vona të së shtunës, 42-vjeçari u lokalizua nga ekipet e shpëtimit pranë kufirit shqiptaro-grek. Ai ishte i padëmtuar fizikisht, por ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore pas qëndrimit për disa orë në terren.
Pas gjetjes, gjuetarit iu dha ndihma e parë mjekësore. Autoritetet greke kanë përfunduar operacionin, ndërsa rasti po ndiqet nga strukturat përgjegjëse për të dokumentuar të gjitha rrethanat e humbjes së tij.


