Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Sot është bërë e rrezikshme të investosh në teknologji. E merr blerjen që ke bërë të hënën, e hap me kujdes, ia heq plastmasin me emocion… dhe të martën del një version i ri që të sheh me përçmim.
Anthropic ka prezantuar Claude Sonnet 5.5, modelin e ri të inteligjencës artificiale që premton të jetë dukshëm më i shpejtë dhe më ekonomik tek tokens për përdorim të përditshëm. Ai është ndërtuar për programim, analiza, dokumente dhe shumë detyra pune, duke ulur kostot dhe rritur performancën.
Ajo që po bën më shumë zhurmë është se, sipas matjeve të Artificial Analysis, Sonnet 5.5 në shumë teste i afrohet jashtëzakonisht shumë Opus 5.5, modelit më të fuqishëm të Anthropic. Me fjalë të tjera, diferenca mes “normalit” dhe “premiumit” po bëhet gjithnjë e më e vogël.
Është si atëherë që blen biletën VIP për një koncert dhe, në fund, zbulon se dhe nga vendi me çmim më të lirë, shihet çdo gjë pothuajse njësoj. Fillon të mendosh nëse diferenca ia vlente vërtet. Pikërisht këtë pyetje Anthropic dëshiron të ngjallë te klientët: a ia vlen ende të paguash shumë më tepër?
Në këtë garë, kompanitë nuk po përpiqen më vetëm të ndërtojnë inteligjencën artificiale më të zgjuar. Tani po luftojnë për të ndërtuar atë që të jep pothuajse të njëjtin rezultat… por ta lë portofolin të marrë pak frymë. Dhe, sinqerisht, kjo është një garë që na leverdis të gjithëve.


