Kërkimi për jetë jashtëtokësore po hyn në një fazë të re, ndërsa shkencëtarët shpresojnë se brenda dekadës së ardhshme mund të dalin prova më të forta për ekzistencën e materialit organik ose të gjurmëve biologjike në botë të tjera. Një nga objektivat kryesorë është Marsi. Roveri Perseverance i NASA-s po mbledh mostra në kraterin Jezero, një zonë ku dikur ka pasur ujë dhe që konsiderohet ndër vendet më premtuese për të kërkuar gjurmë të jetës së lashtë. Synimi është që këto mostra të rikthehen në Tokë për analiza shumë më të detajuara.
Në shtator 2025, NASA njoftoi se disa mostra shkëmbore të analizuara nga Perseverance përmbanin minerale të formuara në mënyra që në Tokë mund të lidhen me aktivitet mikrobik. Shkencëtarët i konsiderojnë këto të dhëna si një biosinjal të mundshëm, por jo si provë përfundimtare të jetës. Vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe hënave të akullta të Jupiterit dhe Saturnit, si Europa dhe Enceladus, të cilat mendohet se fshehin oqeane të mëdha nën sipërfaqet e ngrira. Misionet Europa Clipper të NASA-s dhe Juice i Agjencisë Hapësinore Europiane pritet të mbërrijnë në sistemin e Jupiterit në fillim të viteve 2030 dhe të studiojnë kushtet që mund të mbështesin jetë.
Paralelisht, teleskopi hapësinor James Webb po analizon atmosferat e planetëve jashtë sistemit tonë diellor. Një nga sistemet më interesante është TRAPPIST-1, ku ndodhen shtatë planetë me përmasa të ngjashme me Tokën dhe të paktën tre prej tyre ndodhen në zonën ku mund të ekzistojë ujë i lëngshëm. Shkencëtarët po kërkojnë kombinime gazrash si dioksidi i karbonit, metani dhe uji në përmasa që mund të jenë të vështira për t’u shpjeguar vetëm me procese gjeologjike. Një përbërje e tillë kimike mund të konsiderohet si shenjë e mundshme biologjike, por do të kërkonte verifikime të shumta.
Kërkimi vazhdon edhe për jetë inteligjente. Projekte si Breakthrough Listen analizojnë sinjale radio nga sisteme të largëta, ndërsa radioteleskopi Square Kilometer Array, që pritet të hyjë në funksion në vitin 2028, pritet ta zgjerojë ndjeshëm këtë kërkim. Shkencëtarët paralajmërojnë se një zbulim i mundshëm nuk ka gjasa të vijë si një moment i vetëm spektakolar. Më shumë gjasa, provat do të grumbullohen gradualisht, derisa shpjegimi biologjik të bëhet më bindësi ndaj alternativave të tjera.



