Rusia planifikon të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në një nivel rekord që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, ndërsa do të shkurtojë programet civile dhe do të rrisë taksat. Kjo tregon se Kremlini po përgatitet për një luftë të zgjatur në Ukrainë.
Projektbuxheti për vitin 2027 parashikon 17.1 trilionë rubla (rreth 205.2 miliardë dollarë) për mbrojtjen, 26 për qind më shumë sesa shuma e planifikuar më parë për atë vit dhe 375 për qind më shumë se niveli para luftës, në vitin 2021. Shpenzimet e mbrojtjes do të përbëjnë rreth një të tretën e të gjitha shpenzimeve federale.
Analistët thonë se Rusia ende ka burime financiare për ta vazhduar luftën, por kostoja gjithnjë e më e madhe do të rëndojë mbi familjet, bizneset dhe shërbimet publike, shkruan moscow times.
Deficiti buxhetor i Rusisë arriti në 5.65 trilionë rubla në vitin 2025, ose 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Qeveria pret që deficiti të arrijë në 7.3 trilionë rubla në vitin 2026, para se të ulet në 5.4 trilionë rubla, ose 2.2 për qind të PBB-së, në vitin 2027.

Për të financuar deficitin, Moska planifikon të marrë 6.1 trilionë rubla borxh vitin e ardhshëm, krahasuar me 5 trilionë rubla në vitin 2026. Ndërkohë, shërbimi i borxhit pritet të kushtojë 4.6 trilionë rubla në vitin 2027.
Rusia po planifikon gjithashtu shkurtime në sektorët civilë. Sipas projektbuxhetit, fondet për shëndetësinë do të ulen me 5.5 për qind, për arsimin me 5.4 për qind dhe për programet sociale me 6 për qind, krahasuar me shumat e planifikuara më herët për vitin 2027.
Në të njëjtën kohë, qeveria synon të mbledhë 1.5 trilionë rubla shtesë përmes rritjes së taksave. Ndër masat e propozuara është TVSH-ja prej 22 për qind për blerjet nga shitësit e huaj online, si dhe një tarifë doganore prej 100 rublash për pakot me vlerë nën 200 euro.
Gjithashtu, taksat mbi të ardhurat nga interesat e depozitave, dividentët dhe shitja e pronave pritet të rriten nga niveli aktual prej 13–15 për qind në një interval prej 13 deri në 22 për qind. Ministria e Financave ka propozuar edhe një taksë të njëhershme mbi fitimet e kompanive të sektorit minerar dhe metalurgjik.
Ndërkohë, analistja Alexandra Prokopenko ka paralajmëruar se qeveria mund t’i afrohet kufirit se sa të ardhura shtesë mund të mbledhë përmes rritjes së taksave për financimin e luftës. Kjo mund të shtojë presionin ndaj Bankës Qendrore për uljen e normave të interesit dhe lehtësimin e kostove të huamarrjes për qeverinë dhe bizneset.



