Një 25-vjeçar nga Colchester, Essex, humbi jetën pas konsumimit të një sasie të madhe tabletash me kafeinë, ka bërë të ditur një hetues në Gjykatën e Essex-it. Alfie Goddard kishte blerë kapsula me kafeinë në internet dhe i kishte konsumuar më 28 tetor 2025. Pak më vonë, ai u pa duke ecur zbathur në rrugë, në gjendje delirante. Shërbimet e emergjencës u thirrën dhe 25-vjeçari u dërgua në spital, ku pësoi arrest kardiak dhe ndërroi jetë.
Raporti toksikologjik tregoi se përqendrimi i kafeinës në organizmin e tij ishte “brenda kufijve të lidhur me vdekjet nga kafeina”. Në dhomën e tij, policia gjeti një sasi kapsulash që përmbanin kafeinë. Goddard jetonte në një strukturë akomodimi të asistuar dhe ishte diagnostikuar me ADHD, autizëm dhe skizofreni paranoide, ndërsa kishte gjithashtu një histori të abuzimit me substanca.
Motra e tij, Daisy, tha se ai ishte bërë i fiksuar pas suplementeve dhe produkteve shëndetësore, duke i porositur ato në sasi të mëdha. Ajo theksoi se familja ishte përpjekur të kufizonte konsumin e tij. Hetuesi e cilësoi vdekjen si aksidentale, duke përfunduar se Goddard kishte ndërruar jetë si pasojë e toksicitetit nga kafeina. Familjarët e përshkruan Alfien si një person të dashur, të ndjeshëm dhe plot humor, duke thënë se do ta kujtojnë dhe do t’i mungojë çdo ditë.



