Trekëndëshi i Bermudës ëhstë riktheyr sërish në ankth dhe mister. Një tjetër avion është zhdukur nga radarët e SHBA.
Mediat amerikane raportojnë se një operacion i gjerë kërkimi dhe shpëtimi është duke u zhvilluar në brigjet e Nantucket, Massachusetts, në SHBA, për gjetjen e një avioni tip Gulfstream G100, me gjashtë persona në bord, i cili humbi kontaktin me radarët gjatë fluturimit nga Bermuda drejt Bostonit.
Sipas mediave amerikane, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) humbi kontaktin me avionin në orët e para të mëngjesit të së shtunës, pak para mbërritjes së tij në destinacion.

Pas ndërprerjes së kontaktit u aktivizua alarmi i kërkim-shpëtimit dhe në operacion u angazhua edhe Roja Bregdetare e SHBA-së.
Avioni ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar L.F. Ëade në Bermuda, me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar Logan të Bostonit. Sipas autoriteteve amerikane, në bord ndodheshin gjashtë persona.
Avioni humbi lartësi me shpejtësi
Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimit, të cituara nga mediat amerikane, Gulfstream G100 ndodhej në një lartësi prej rreth 23.500 këmbësh, kur pak pas orës 01:00 filloi të humbiste lartësi me shpejtësi.
Brenda rreth tre minutash, avioni raportohet se zbriti në rreth 11.000 këmbë.
Sinjali i fundit i regjistruar u evidentua pak para kohës kur avioni pritej të ulej në Boston.
Deri tani nuk dihet se çfarë shkaktoi ndërprerjen e komunikimit dhe autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse avioni është rrëzuar.
Kërkimet janë përqendruar në zonën detare pranë Nantucket, ishull në juglindje të Massachusetts.
Në kërkim avionë, helikopterë dhe mjete detare
Roja Bregdetare amerikane ka angazhuar menjëherë mjete ajrore dhe detare për gjetjen e avionit.
Në operacion po marrin pjesë avionë dhe helikopterë nga Air Station Cape Cod, një mjet shpëtimi nga stacioni Brant Point, si dhe një anije e shpejtë patrullimi e Rojës Bregdetare.
“Ekipet ajrore dhe detare të Rojës Bregdetare janë angazhuar në kërkimin e avionit”, njoftoi institucioni, duke konfirmuar se operacioni po zhvillohet në brigjet e Nantucket.
Avioni përdorej për transport mjekësor
Gulfstream G100 dyshohet se përdorej për transport mjekësor ajror dhe ishte i lidhur me kompaninë kanadeze Latitude Air Ambulance, e cila kryen transportin e pacientëve që kanë nevojë për kujdes të specializuar mjekësor.
Megjithatë, nuk është bërë e ditur nëse në këtë fluturim po transportohej një pacient.
Gjithashtu, autoritetet nuk kanë publikuar ende identitetet apo informacionet për gjashtë personat që ndodheshin në bord.
Gulfstream G100 është një avion biznesi me dy motorë, i cili përdoret edhe për misione të veçanta, përfshirë transportin mjekësor.
FAA ka deklaruar se po bashkëpunon me Qendrën përkatëse të Koordinimit të Shpëtimit dhe me Rojën Bregdetare.
Autoritetet pritet të japin informacione të reja ndërsa vijojnë kërkimet.



