Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Nuk pret më komandat e tua! OpenAI prezanton asistentin AI që punon vetë…
Ka njerëz që harrojnë shpesh ku kanë lënë çelësat. Tani imagjino të kesh një asistent që nuk harron asgjë… dhe madje të kujton edhe detyrat që ti ke harruar se ekzistojnë. Mirë se erdhët në episodin ku inteligjenca artificiale vendos të mos presë më komandat tona, por të fillojë të punojë vetë. Pak si ai kolegu që papritur bëhet super produktiv… dhe të bën të ndihesh në siklet.
OpenAI ka prezantuar Dots, një gjeneratë të re asistentësh me inteligjencë artificiale që nuk funksionojnë si chatbot-i klasik. Në vend që të presin pyetjen tënde, ata mund të punojnë në sfond gjatë gjithë kohës për objektivat që u cakton, të lidhen me mijëra aplikacione dhe të komunikojnë përmes ChatGPT, Slack apo Teams. Madje secilin mund ta emërtosh dhe ta personalizosh sipas dëshirës.
Pra, në teori, ti i thua: “Mbaje nën kontroll këtë projekt”, dhe ai vazhdon punën ndërkohë që ti je duke pirë një kafe. Ose duke pirë kafen e tretë sepse dy të parat nuk bënë efekt. Është ai shoku që nuk të thotë “më shkruaj kur të kesh nevojë”, por shfaqet vetë me zgjidhjen para se ta kuptosh që kishe problem.
Sigurisht, OpenAI thotë se përdoruesi ruan kontrollin dhe vendos rregulla se çfarë mund ose nuk mund të bëjë asistenti. Kjo sepse, ta pranojmë, askush nuk është gati të zgjohet një mëngjes dhe të zbulojë se asistenti i ka planifikuar pushimet, i ka ndërruar dietën dhe i ka rezervuar edhe dentistin “se kishte ardhur koha”.
Një gjë është e sigurt: epoka kur inteligjenca artificiale vetëm përgjigjej po mbyllet. Tani ajo merr vetë iniciativën për të bërë gjëra. Epo le të shpresojmë që, ndryshe nga ne, kur fillon punën të hënën të mos spostojë çdo projekt për të nesërmen.
Fuqia “premium” me më pak kosto?! Claude Sonnet 5.5 ngushton diferencën me Opus
Sot është bërë e rrezikshme të investosh në teknologji. E merr blerjen që ke bërë të hënën, e hap me kujdes, ia heq plastmasin me emocion… dhe të martën del një version i ri që të sheh me përçmim.
Anthropic ka prezantuar Claude Sonnet 5.5, modelin e ri të inteligjencës artificiale që premton të jetë dukshëm më i shpejtë dhe më ekonomik tek tokens për përdorim të përditshëm. Ai është ndërtuar për programim, analiza, dokumente dhe shumë detyra pune, duke ulur kostot dhe rritur performancën.
Ajo që po bën më shumë zhurmë është se, sipas matjeve të Artificial Analysis, Sonnet 5.5 në shumë teste i afrohet jashtëzakonisht shumë Opus 5.5, modelit më të fuqishëm të Anthropic. Me fjalë të tjera, diferenca mes “normalit” dhe “premiumit” po bëhet gjithnjë e më e vogël.
Është si atëherë që blen biletën VIP për një koncert dhe, në fund, zbulon se dhe nga vendi me çmim më të lirë, shihet çdo gjë pothuajse njësoj. Fillon të mendosh nëse diferenca ia vlente vërtet. Pikërisht këtë pyetje Anthropic dëshiron të ngjallë te klientët: a ia vlen ende të paguash shumë më tepër?
Në këtë garë, kompanitë nuk po përpiqen më vetëm të ndërtojnë inteligjencën artificiale më të zgjuar. Tani po luftojnë për të ndërtuar atë që të jep pothuajse të njëjtin rezultat… por ta lë portofolin të marrë pak frymë. Dhe, sinqerisht, kjo është një garë që na leverdis të gjithëve.
120 metra drejt hapësirës! Starship arrin momentin historik që afron edhe më shumë Marsin
Ka dy lloje njerëzish: ata që stresohen kur ashensori bën një zhurmë të çuditshme… dhe Elon Musk, që sheh një raketë 120 metra të lartë të ngrihet drejt hapësirës dhe thotë: “Po, do ta provojmë edhe një herë.”
Këtë javë, Starship, raketa gjigante e SpaceX, arriti për herë të parë të futet me sukses në orbitë gjatë fluturimit të saj të 12-të. Pas disa provave të mëparshme me probleme, ky konsiderohet momenti më i rëndësishëm deri tani për projektin. Nuk është thjesht një raketë që u ngrit. Është prova se kompania po afrohet gjithnjë e më shumë me objektivin për të dërguar njerëz në Hënë dhe, një ditë, edhe në Mars.
Për ta kuptuar sa e madhe është e gjithë kjo gjë: fillojmë me faktin që Starship është rreth 120 metra e lartë. Kjo do të thotë se është më e lartë se një pallat 35-katësh dhe më e gjatë se një fushë futbolli e vendosur vertikalisht.
Dhe pse duhet të na interesojë ne kjo gjë? Sepse pothuajse çdo teknologji hapësinore, herët a vonë, zbret në Tokë. GPS-i, interneti satelitor, parashikimi i motit, komunikimet, madje edhe shumë materiale që përdorim çdo ditë kanë lindur nga programet hapësinore. Pra, nuk është vetëm një histori për astronautët. Është një histori për teknologjinë që, pas disa vitesh, përfundon në xhepin tonë.
Nëse gjithçka vazhdon sipas planit, hapi i radhës është edhe më ambicioz: ulje të kontrolluara, misione në Hënë dhe më pas Marsi. Me pak fjalë, ndërsa ne ende debatojmë nëse ia vlen të dalim deri te liqeni në fundjavë, dikush po ndërton autobusin për planetin tjetër.
Harrojeni “AI”?! Trump firmos urdhrin ekzekutiv ndryshon termin, ja çfarë është “SI”…
Dikush ndryshon emrin në Instagram dhe mezi e vënë re ndjekësit. Në Shtëpinë e Bardhë ndryshojnë emrin e një prej teknologjive më të rëndësishme në botë… dhe interneti vendos të mos flasë për asgjë tjetër. Sepse, mesa duket, problemi nuk ishte teknologjia. Ishte emri.
Presidenti Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv që, në dokumentet zyrtare të qeverisë amerikane, termi Artificial Intelligence, ose AI, do të zëvendësohet me Super Intelligence, shkurt SI. Ndryshimi vlen për komunikimet, faqet zyrtare dhe dokumentet e degës ekzekutive, ndërsa brenda 60 ditëve pritet edhe një përkufizim zyrtar i termit të ri.
Tani ndalemi një sekondë te shkurtesa. SI. Imagjino dikë që të pyet: “Përdor AI?” Dhe ti t’i përgjigjesh: “Jo… SI.” Tingëllon më shumë si një bisedë mes dy italianëve sesa si revolucioni teknologjik i shekullit.
Në fund të ditës, inteligjenca artificiale mbetet e njëjtë. Nëse dje të ndihmonte të shkruaje email, edhe sot të ndihmon të shkruash email. Vetëm se tani, sipas dokumenteve zyrtare amerikane, nuk po përdor më AI… po përdor SI.
Dhe kjo është bukuria e teknologjisë në vitin 2026. Disa kompani garojnë të krijojnë inteligjencën më të fuqishme në botë… ndërsa dikush tjetër fiton me lajmet, vetëm duke i ndërruar emrin.
Probleme për iPhone Duo?! 4 në 10 telefona nuk kalojnë kontrollin e cilësisë në prodhim…
Kemi një situatë interesante. Për iPhone Duo kemi folur episodin e kaluar, kështu që nuk do t’ju prezantojmë përsëri telefonin. Sot do të flasim për atë që po ndodh në fabrikën e tij.
Sipas raportimeve të fundit, Apple po has vështirësi serioze me prodhimin e iPhone Duo. Problemi kryesor është rendimenti i prodhimit: vetëm 60% e telefonave të montuar po arrijnë standardin e kërkuar të cilësisë. Pjesa tjetër nuk kalon kontrollin.
Pra, për çdo dhjetë iPhone Duo që fabrika përpiqet të prodhojë, afërsisht katër thonë: “Faleminderit për pjesëmarrjen.”
Dhe kjo është shumë. Sidomos kur po prodhon një telefon që kushton rreth 2,000 dollarë.
Vështirësitë lidhen kryesisht me ekranin e brendshëm dhe mekanizmin e menteshës, i cili raportohet se ka mbi 100 pjesë. Mbi 100! Në këtë pikë nuk është më menteshë.
Kjo po e bën të vështirë për Apple të rrisë prodhimin, ndërkohë që kompania raportohet se synon vetëm rreth 6 deri në 8 milionë njësi gjatë vitit 2026.
Dhe këtu situata bëhet edhe më interesante: furnitorët raportohet se po presin të shohin nëse Apple do të zbusë standardet e cilësisë, në mënyrë që më shumë telefona të kalojnë kontrollin.
Apple deri tani po thotë jo.
Dhe mirë bën. Sepse një iPhone normal kur ka problem, të paktën ke vetëm një ekran për t’u shqetësuar.
Ky ka dy ekrane dhe një menteshë me personalitet.



