Çfarë duhet të marrësh me vete për një udhëtim në Paris? Sipas stilistes Ana Brillembourg, problemi mund të fillojë pikërisht nga përpjekja për të krijuar një look të ndryshëm për çdo moment të udhëtimit. Në një guidë të publikuar sot nga Travel + Leisure, këshilla e saj kryesore është shumë më e thjeshtë / më pak veshje specifike dhe më shumë pjesë që mund të kombinohen mes tyre.
Në vend të një garderobe të mbushur me athleisure, Brillembourg sugjeron pantallona të rehatshme me prerje më të kuruar, të cilat mund të përdoren gjatë gjithë ditës. Takat e parehatshme zëvendësohen me ballet flats, ndërsa në vend të disa çantave për veshje të ndryshme rekomandohet vetëm një model që funksionon si gjatë ditës, ashtu edhe për darkë.
E njëjta logjikë vlen edhe për pjesën tjetër të garderobës. Në vend të shumë bluzave trend që funksionojnë vetëm në një kombinim, rekomandimi është të marrësh baza më të mira dhe t’i kombinosh në mënyra të ndryshme. Paris kërkon shumë ecje, ndaj ideja që të dukesh bukur nuk duhet të jetë në konflikt me rehatinë.
Këshilla prek edhe një problem shumë modern të udhëtimit. Rrjetet sociale mund të krijojnë presionin që çdo ditë dhe çdo fotografi të ketë një outfit tjetër. Por kjo shpesh përfundon në një valixhe më të madhe, më shumë kohë të humbur duke vendosur çfarë të veshësh dhe rroba që përdoren vetëm një herë.


