Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit të çështjes dhe vlerësimit të rrethanave institucionale e profesionale.
KPK-ja bën të ditur se vendimi është marrë në bazë të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin përkatës, njofton Dukagjini.
Sipas KPK-së, këto të fundit janë konstatuar përmes procesit të vlerësimit të performancës, të realizuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe aktet nënligjore.
“Në arsyetimin e vendimit, Këshilli Prokurorial ka renditur disa rrethana që, sipas tij, janë evidentuar gjatë ushtrimit të detyrës nga Isufaj. KPK vlerëson se në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, janë evidentuar dhe konstatuar, ndër të tjera, këto rrethana: keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, jokompetenca në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit, dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj për pozitën e Kryeprokurorit, mospërmbushja e standardeve të kërkuara të performancës, e konstatuar përmes vlerësimit të performancës të realizuar në pajtim me dispozitat ligjore dhe aktet përkatëse nënligjore”, thuhet në njoftim.
Tutje, KPK-ja ka theksuar se këto gjetje nuk duhet të konsiderohen si vlerësime politike, por si rrethana që lidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e funksionit dhe përgjegjësitë e drejtimit të Prokurorisë Speciale.
“KPK thekson se këto nuk përbëjnë vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore të bartësit të tij dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale. Sipas vlerësimit të KPK-së, secila prej këtyre rrethanave, veçmas dhe në mënyrë të pavarur, përbën bazë për ndërmarrjen e masës së largimit nga pozita, në kuptim të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Po ashtu, Këshilli Prokurorial vlerëson me shqetësim të veçantë gjendjen e efikasitetit institucional të Prokurorisë Speciale. Mënyra e menaxhimit të kësaj Prokurorie, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në dobësimin e efikasitetit dhe rezultateve institucionale, duke krijuar një situatë që kërkon ndërhyrje të përgjegjshme, institucionale dhe të menjëhershme”, thuhet në njoftim.
KPK shkarkon Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale



