Tre ish-veprimtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Ali Ahmeti, Ramadan Avdiu dhe Fatmir Brajshori, kanë kundërshtuar publikisht pretendimet për një konflikt apo mosmarrëveshje serioze mes Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit, të trajtuara në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Trupi Gjykues ka konstatuar se në vitin 1993 Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Thaçin dhe Azem Sylën.
Sipas aktgjykimit, Thaçi dhe Syla e kishin akuzuar Allaqin se kishte sjellë në radhët e lëvizjes politike Shaban Shalën, të cilin e konsideronin si spiun të pretenduar të Serbisë. Gjykata ka konstatuar se kjo kishte rezultuar edhe në marrjen e rolit që i ishte premtuar Allaqit.
Por, një version tjetër është dhënë nga tre persona që kanë qenë të përfshirë në aktivitetet e LPK-së.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, duke folur në Debat Plus, ka mohuar se në fshatin Kollare të Kërçovës kishte pasur përplasje mes Thaçit dhe Allaqit.
“Në Kollare nuk ka pasur asnjë përplasje në mes Hashim Thaçit dhe Beadin Allaqit. Pjesëmarrja e Hashim Thaçit në Kollare, ai ka qenë njëri nga pjesëmarrësit më të rinj në atë takim dhe nuk ka pasur fare debat midis Thaçit dhe Allaqit”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka thënë se Allaqi kishte qenë në krye të LPK-së, duke shtuar se nuk e kishte parë një përplasje mes tij dhe Thaçit.
Edhe ish-anëtari i Komitetit Drejtues të LPK-së, Ramadan Avdiu, ka kundërshtuar gjetjet për një mosmarrëveshje serioze mes tyre.
“Absolutisht është e paqëndrueshme. Nuk di në çka bazohet. Unë i kam parë edhe ca shkrime, edhe një libër. Dhe kjo është krejtësisht e pavërtetë. Aty ka pas debat. Në çdo mbledhje ne kemi debatuar. Ne kemi debatuar me qëllim si t’i përmirësojmë punët dhe të organizohemi më mirë”, ka thënë Avdiu në Debat Plus.
Sipas tij, në mbledhjet e LPK-së kishte debate dhe polemika, por jo konflikte.
Avdiu ka deklaruar gjithashtu se në një prej mbledhjeve, Thaçi përfaqësonte këshillin e rrethit të Skenderajt, ndërsa Allaqi atë të Prizrenit.
“Ajo mbledhje ka qenë konsultative, nuk ka qenë e përgjithshme. Aty janë mbështet aksionet e armatosura. Është bërë thirrje për unitet dhe bashkim”, ka thënë ai.
Madje, sipas Avdiut, ishte vetë Allaqi ai që kishte insistuar që Thaçi të bëhej pjesë e grupit për organizim dhe riorganizim.
“Bile me insistimin e Allaqit, Thaçi është zgjedhur anëtar i grupit për organizim dhe riorganizim”, ka deklaruar Avdiu.
Të njëjtin qëndrim e ka dhënë edhe Fatmir Brajshori, anëtar i LPK-së, i cili po ashtu ka mohuar se mes Thaçit dhe Allaqit kishte pasur ndonjëherë konflikt.
“Nuk ka pas. Duhet të sqarohen disa gjëra. Tjetër është konflikti, tjetër është debati dhe polemika. Në mbledhjet e LPK-së, se ka pas demokraci të brendshme, ne kemi pas gjithmonë debate, polemika, por as edhe njëherë konflikte. Asnjëherë nuk ka pas konflikte”, ka deklaruar Brajshori.
Ai ka qenë i drejtpërdrejtë edhe për raportin mes Thaçit dhe Allaqit.
“Nuk ka pas konflikt mes Thaçit dhe Allaqit as edhe njëherë”, ka thënë Brajshori.
Brajshori ka folur edhe për mënyrën se si sillej Thaçi në mbledhjet e LPK-së.
“E them me bindje të plotë që Thaçi ka qenë njëri ndër më të urtit dhe më të maturit në mbledhjet tona, nuk ka ditur ta fyejë askënd”, ka deklaruar ai.
Këto deklarata bien ndesh me gjetjen e Trupit Gjykues në aktgjykimin e shkallës së parë, i cili ka konstatuar një mosmarrëveshje serioze mes Allaqit, Thaçit dhe Azem Sylës në vitin 1993.
Përtej kësaj mosmarrëveshjeje, në aktgjykim trajtohen edhe rrethanat e zhdukjes së Allaqit në vitin 1998.
Sipas gjykatës, para zhdukjes së tij, Allaqi ishte nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së, ndërsa Thaçi dhe Veseli kishin kërkuar informacione për praninë e tij në shtabin e UÇK-së në Drenoc.
Gjykata ka konstatuar se më 11 qershor 1998, ose rreth kësaj date, Allaqi shkoi në shtabin e UÇK-së në Drenoc dhe pak më pas aty mbërritën Thaçi dhe Veseli. Sipas aktgjykimit, ata e morën Allaqin të prangosur dhe ai nuk u pa më.
Trupi Gjykues ka deklaruar se ishte bindur se Allaqi ishte vrarë dhe se publikimi i Komunikatës 61, më 1 nëntor 1998, ku thuhej se ai kishte rënë dëshmor në betejë, kishte shërbyer si mbulesë për të fshehur atë që i kishte ndodhur.
Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Në lidhje me rastin e Allaqit, mbrojtja e Thaçit e ka kundërshtuar mënyrën se si gjykata i ka trajtuar përfundimet, duke vënë në pikëpyetje faktin se përfundimet për vrasjen u bënë publike, ndërsa provat përkatëse mbetën konfidenciale.



