Disa skena të xhiruara në “Makedonium”, për spotin e këngës “Sexy mama” të këngëtarit Don Xhoni, çuan në shkarkimin e drejtorit dhe gjithë Bordit Drejtues të këtij monumenti kulturor në Krushevë. Pasi u mor vesh se hapësira e “Makedoniumit” u lëshuan me qira për xhirime për vetëm 500 euro, dhe pas reagimeve të shumta në publik, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi shkarkime.
“Me të vërtetë, ajo që ndodhi atje ishte diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Do t’i kërkoj ministrit të Kulturës dhe Turizmit të shkarkojë drejtorin e atij institucioni së bashku me Bordin Drejtues, sepse institucionet e tilla nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të tilla. I kërkoj falje qytetarëve për këtë lëshim dhe do të përpiqemi që të mos ndodhë më në të ardhmen”, tha Mickoski.
Ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, tha se Ministria është në proces të mbledhjes së informacioneve për rastin, pas çka edhe do të veprohet.
“Para nesh kemi një rast që është vërtet i ndjeshëm, por do të shohim me shërbimet juridike se si mund të veprojmë më tej ose nëse do të nevojitet ndonjë ndryshim ligjor, pasi në këtë moment ekziston e drejta ligjore për dhënien me qira, por drejtorët duhet të kenë kujdes kur japin objektet me qira, duhet të dinë se çfarë programesh do të zhvillohen dhe çfarë përmbajtjeje do të kenë”, u shpreh Sedat Sulejmani, ministër i Kulturës dhe i Turizmit.
Reagime erdhën edhe nga opozita, Forcat rinore të Lidhjes Socialdemokrate.
“Fillimisht i vunë prangat, tani po e përdhosin kujtimin e Nikolla Karevit dhe Republikës së Krushevës. Nuk është e rëndësishme se nga është reperi, e rëndësishme është përmbajtja dhe thelbi. Dhe e rëndësishme është se kush e lejoi. Duhet të ketë përgjegjësi. Ne, të rinjtë socialdemokratë, kërkojmë shkarkimin e drejtorit nga ZNAM”, thonë nga LSDM.
E Drejtori i Muzeut në Krushevë, Miha Odzhaklieski, nuk priti Ministrin të marrë ndonjë hap. Vetë dha dorëheqje të pakthyeshme nga detyra. Odzhaklieski deklaroi se gjatë procedurës nuk është shkelur asnjë ligj, rregullore apo akt, por pranoi përgjegjësi morale dhe etike për mënyrën se si vendimi është perceptuar nga publiku.
Përndryshe, “Makedoniumi”, është trashëgimi kulturore e mbrojtur e shtetit.


