Katër ditë pasi shkoi në Zyrën e Kryeministrit, asnjë sinjal nuk është dhënë se Projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është duke u shqyrtuar.
Ndonëse, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ishte zotuar se do të komunikojë me kryeministrin, Albin Kurti, që kjo nismë të trajtohet me urgjencë, nga zyra e Albin Kurtit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje rreth kësaj çështje.
E pritja e Qeverisë, nuk përkon me urgjencën që i jep kësaj çështjeje Partia Demokratike e Kosovës.
Madje, shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik, Arian Tahiri, kërkon që kjo çështje, të mos përzihet me një tjetër proces të rëndësishëm politik, zgjedhjen e presidentit.
“Çështja e presidentit është çështje e konsensusit dhe vullnetit politik. PDK-ja që nga dita e parë ka qenë e angazhuar t’i shmangë zgjedhjet. Nuk duhet as të guxojë të mendojë që ta lidhë ligjin me President. Ligji është obligim kombëtar i yni”, ka thënë Tahiri.
Megjithëkëtë, këto dy procese sa i përket afatit, po i lidh ndër vete ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.
Sipas deputetes së VV-së, zgjidhja për të dy çështjet duhet të gjendet sa më shpejtë, me synim të përbashkët, shmangien e zgjedhjeve.
“Do të thotë ne duhet të kemi parasysh që në nguti dhe në këtë, si të thuash, ndërlidhje të këtyre afateve që po duken natyrshëm të ndërlidhura, por që është shumë e rëndësishme një gjë ta kemi të përbashkët. Dhe emëruesi i përbashkët duhet të jetë që të evitohen zgjedhjet”, ka thënë ministrja e MINT-it, Mimoza Kusari-Lila.
Vet ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, në Debat Plus ka hedhur poshtë mundësitë e një koalicioni me PDK-në.
“Por nuk e shoh që na duhet një koalicion me PDK-në, jo në këtë periudhë. Kjo lidhet me vendimin, por me qëndrimin tonë me PDK-në. Mundemi të bashkëpunojmë në raport me kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, të padrejtë. Mirëpo nuk i shoh si partner në qeverisje. Ky është qëndrimi personal”, u shpreh Haxhiu.
Ndërkohë, njohës politik, kritikojnë që në çfarëdo forme të politizohet çështja e ndryshimeve për Ligjin për Gjykatën Speciale.
“Mendoj që qëndrimi për ta trajtuar fillimisht me kujdes juridik të shtuar është e kuptueshme, është një çështje shumë serioze dhe nuk duhet të shndërrohet në një instrument politik për shembull për presidentin, nëse procedohet projektligji, ai duhet të jetë juridikisht I qëndrueshëm, dhe gjithsesi rezultat I një koordinimi më të gjerë institucional”, ka thënë analisti politik, Basri Muja.
PDK-ja nisi javën e kaluar iniciativën për të ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale, ndër të tjera, për t’ia kaluar juridiksionin institucioneve të Kosovës, në faza tjera, si në Supreme.


