Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë sonte në orën 20:45 do të përballet me Slloveninë, me synimin për të përmirësuar paraqitjen nga ndeshja e para tri ditëve, kur pësoi lehtësisht humbje në shtëpi ndaj Zvicrës. Nuk është e lehtë të luhen disa ndeshje radhazi, ndaj është e qartë se trajneri Goce Sedlloski do të duhet të bëjë rotacion. Kjo edhe për faktin se të shtunën e pret edhe ndeshja e radhës ndaj Skocisë në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.
“Do të ketë ndryshime”, paralajmëroi trajneri Sedlloski në konferencën zyrtare për media.
Stole Dimitrievski është i padiskutueshëm në portë, por ndryshime priten në repartin e mbrojtjes. Pritet që mundësi të kenë Stojçevski, Meliqi dhe Alomeroviqi. Në mesfushë pritet të luajnë Atanasov dhe Elezi, së bashku me Bardhin dhe Elmasin, ndërsa në sulm pritet të jenë Dimitar Mitrovski dhe Azer Omeragiqi.
Edhe sllovenët janë nën presion. Ata barazuan 0-0 në shtëpi ndaj Skocisë dhe sonte synojnë të arrijnë fitoren e parë. Por të njëjtin synim e ka edhe Maqedonia.


