Papa Leoni u bëri thirrje palëve që negociojnë për t’i dhënë fund luftës në Europë të tregojnë guxim dhe të heqin dorë nga disa qëndrime për hir të paqes.
Duke folur në qytetin francez të Metzit, ai e përshkroi luftën si një masakër që merr çdo ditë jetë civilësh. Papa iu referua luftës në Ukrainë, megjithëse nuk e përmendi vendin me emër.
Deklarata vjen ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit të nisur nga pushtimi i plotë rus në vitin 2022 nuk kanë sjellë marrëveshje. Papa nuk tha se cilat qëndrime duhet të ndryshojnë palët.
Në fjalimin e mbajtur në fund të vizitës 4-ditore në Francë, Leoni kundërshtoi edhe rritjen e shpenzimeve ushtarake në Europë. Sipas tij, riarmatimi nuk duhet parë si përgjigjja ndaj luftës. Ai u kërkoi udhëheqësve të bëjnë më shumë për dialogun dhe paqen, në vend që të përgatiten për konflikte të ardhshme.
Papa foli gjithashtu për të ardhmen e Europës. Ai kërkoi respektimin e shtetit të së drejtës dhe barazinë e njerëzve, ndërsa u bëri thirrje vendeve europiane të integrojnë emigrantët dhe të krijojnë rrugë të ligjshme e të sigurta për migracionin.


