Drejtoria e Shëndetësisë e Kryeqytetit ka dënuar sulmin fizik ndaj një infermiereje, e cila ishte duke ofruar shërbim shëndetësor në shtëpinë e një pacienti në lagjen Kalabria.
Në reagimin e saj, Drejtoria e Shëndetësisë e ka cilësuar të papranueshëm çdo akt dhune ndaj profesionistëve shëndetësorë gjatë ushtrimit të detyrës.
“E dënojmë fuqishëm këtë akt dhune ndaj punonjëses sonë shëndetësore. Sulmi ndaj profesionistëve që janë në detyrë për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për qytetarët është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë. Siguria dhe dinjiteti i tyre janë të panegociueshme”, thuhet në njoftim.
Drejtoria ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një rast të izoluar, i cili, sipas saj, nuk do të ndikojë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
“Shërbimet në terren do të vazhdojnë normalisht, pa ndërprerje dhe me të njëjtin përkushtim ndaj çdo qytetari që ka nevojë për kujdes”, thuhet në njoftim.


