Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se ish-presidenti amerikan Joe Biden e ka tradhtuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, pas dënimit të këtij të fundit me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Duke folur në Nju-Jork, ku mori pjesë në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama tha se i mungon Thaçi, i cili sipas tij ka qenë gjithmonë i ftuar në këtë aktivitet.
“Po vuaj mungesën e dikujt që ka qenë gjithmonë i ftuar këtu, Hashim Thaçit. Ai nuk është me ne sot këtu sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Biden, që e quajti George Washington-in e Kosovës, e tradhtoi. Sepse edhe pse Gjenerali Clark bëri më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën”, tha Rama.
Rama tha se, sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të kishin bërë më shumë lidhur me rastin e Thaçit dhe me krijimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. Së pari duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, shtoi Rama, duke iu referuar themelimit të Dhomave të Specializuara.


