Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, është takuar me përfaqësues të komunitetit boshnjak në prag të 28 Shtatorit – Ditës së Boshnjakëve.
Gashi tha se gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës boshnjake, kulturës, traditës dhe identitetit, si dhe për krijimin e kushteve më të mira për arsimim dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore.
“Komuniteti boshnjak është pjesë e pandashme e shoqërisë sonë dhe ka një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e saj kulturor, ekonomik, politik dhe të përgjithshëm”, deklaroi Gashi.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për ndërtimin e një shoqërie ku të gjithë qytetarët ndihen të barabartë, të respektuar dhe të përfshirë.
“Detyrimi ynë i përbashkët është të vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri në të cilën çdo qytetar ndihet i barabartë, i respektuar dhe i përfshirë, me respekt për diversitetin dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, u shpreh kryeparlamentari.


